Një nga katër viktimat e masakrës së Velipojës ishte një 20-vjeçar që nuk kishte asnjë lidhje me konfliktin e lindur mes pronarëve të dy bizneseve, që u përplasën me armë.
Ishte dita e tij e parë e punës si kamerier në biznesin e vëllezërve Gocaj, që po ashtu mbetën të vrarë. Musaen Zeneli, nga lagjja “Bahçallëk” e Shkodrës, ishte më i vogli i familjes së tij.
Në dhjetor mbushte 20 vjeç e ndonëse ishte me probleme shëndetësore, kishte vendosur të punonte për t’i ardhur në ndihmë familjes së tij prej tre anëtarësh. I ati, Enveri, humbi jetën vite më parë në lumin Drin, ku kishte hyrë për t’u larë e që nga ajo kohë, Musaeni, apo siç i thërrisnin në Shkodër, “jetimi”, jetonte me të ëmën dhe vëllain e tij 3 vjet më të madh, Erdisin. I riu punonte në zonën e plazhit në Velipojë, në biznese të ndryshme. Së fundi kishte folur me vëllezërit Gocaj për t’i gjetur punë dhe kishte filluar. E shtuna ishte dita e parë e tij. Punën e mbylli pak pas mesnate, pa e ditur se nuk do të kthehej më në shtëpi, ku nuk mundi të çonte as rrogën e parë.
Policia thotë se kishte marrë një plumb në zemër. Në xhep iu gjetën vetëm 30 lekë, asgjë më shumë. Familja e Musaen Zenelit ndodhet në kushte të vështira ekonomike, ndërsa nuk përballojnë dot financiarisht shpenzimet mortore. Mbrëmjen e djeshme, Velipoja u trondit pasi pas një përplasje me armë mes pronarëve të hotel “Fantazia” dhe pronarëve të hotelit “Gocaj”, mbetën të vrarë 4 persona, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur. Viktimat janë Kujtim Ferracaku, 59 vjeç, vëllezërit Xhovan dhe Edmond Gocaj, 25 dhe 38 vjeç, dhe Musaen Zeneli 20 vjeç.
Musaen Zeneli, 20 vjeç, u ekzekutua pak pas mesnate, sapo kishte mbyllur ditën e parë të punës. Ai u gjet në vendin e ngjarjes në Velipojë ku u përplasën fillimisht verbalisht dhe më pas me armë pronarët e dy hoteleve “Ferrracaku” dhe “Gocaj”.
Nga shkëmbimi i zjarrit, 20- vjeçarin e kapi një plumb në zemër duke i marrë jetën në vend. Reagimet me indinjatë të qytetarëve në rrjetet sociale ishin të shumta për adoleshentin jetim që në kushte të vështira ekonomike sapo kishte mbyllur ditën e parë të punës dhe në xhep iu gjetën qindarkat që kishte nxjerrë nga bakshishet e pushuesve që morën çadra e shezlongë.
“Policia jonë është e zënë me arrestimin dhe sekuestrimin e trangujve dhe majdanozit të fshatarëve, ndërsa bosët e plazheve flenë me shtetin dhe kurvërojnë me krimin”, janë disa nga postimet në rrjetet sociale për masakrën që i preu jetën në mes adoleshentit në Velipojë.
“Prehu në Paqe Musaen Zeneli, atje lart do jetë më mirë për ty”.
“Musaen Zeneli, kamerieri jetim që u vra mbrëmë barbarisht prej dorës gjakatare të horrave, e kishte rrogën mujore aq sa kushtojnë 10 plumba të kriminelëve, të cilëve nuk u kontrollohen kurrë shtëpitë dhe bizneset”, janë disa reagime të tjera në rrjetet sociale.