Kryeministri Edi Rama ka “drejtuar gishtin” nga presidenti Ilir Meta për protestën që po zhvillohet në aeroportin e Rinasit. Me anë të një postimi në Twitter, Rama shkruan se të gjithë shqiptarët e kuptojnë se është Meta, personi që fshihet pas revoltës në aeroport.
“Humoret vulgare të IM ndërkohë që një grup i nxitur prej tij dhe Saliut, kanë kryer aktin e rëndë të bllokimit të aktivitetit të aeroportit “Nënë Tereza”, thjesht rikonfirmojnë se IM është nxitës i kësaj goditjeje të çmendur e s’ka shqiptar që s’e kupton pse! Po s’do ia dalin jo!”-shkruan Rama. Aeroporti i Rinasit ka pezulluar sot të gjitha fluturimet. Shkak është bërë mosplotësimi i kërkesave të kontrollorëve. Ministrja Belinda Balluku ka hequr të gjitha përgjegjësitë nga shteti, ndërsa ka ngritur alarmin për “puç shteti”. Presidenti Ilir Meta ka kërkuar zgjidhje nga qeveria, ndërsa kryeministri Edi Rama i ka kërcënuar punonjësit e ‘Albcontrol’ me burg.