Edhe pse ka mbledhur gazetarët dhe mediat për të pritur 7020 dozat e vaksinës anti-Covid nga “Pfizer”, kryeministri Edi Rama foli edhe për problematikat e krijuar gjatë ditëve të fundit nga dëbora.
Duke iu përgjigjur kritikave që ka pasur për menaxhimin e situatës, ai u shpreh se asnjë borëpastruese nuk është shpikur për të mbledhur dëborën në ajër.
“Asnjë borëpastruese nuk ka arritur që të mblidhet bora në ajër. Ka pasur propozime që të hidhej kripë përpara se të binte bora. Ose këtu janë sytë aq të mprehtë që e shquajnë menjëherë por preken dhe thonë që në Shqipëri përdoren lopata. Çfarë të përdoren, raketa? Athinën besoj e patë se në çfarë gjendje ishte. Këtu kemi qenë, për të mos bërë asnjë krahasim të tepërt. Kur bëj krahasime me vende që kanë qenë shumë herë më shumë të përgatitura, i bëj për të thënë që kur ndodh atje, po këtu? Mund të ndodhë që të bllokohej komplet rruga e kombit. Të humbnin jetë njerëzish. Stuhitë e dëborës dy gjëra sjellin, bllokim rruge dhe mungesën e energjisë elektrike”, tha Rama.
“Para se të vija këtu pashë një raport, të familjeve që janë pa drita në SHBA tani që flasim nga dëbora, a e dini sa janë? Nuk ishin të gjitha shtetet në atë raport dhe unë 3 milionë konsumatorë familjarë pa drita.
Sigurisht nga stuhitë e dëborës këto gjëra ndodhin, ashtu sikur ndodh të bllokohen rrugët, pasi asnjë vend nuk ka shpikur mbulesë speciale për dëborën. Asnjë borëpastruese deri më sot nuk ka arritur shkenca ta bëjë që ta mbledhë borën në ajër. Këtu ka pasur propozime që të hidhej kripë përpara se të binte dëbora. Athina besoj e patë gjendjen që ishte, bllokim nga të katërta anët”, shtoi Rama.
Sa i përket hipjes në borëpastruese të ministres Belinda Balluku, Rama deklaroi: “Mund të kishte ndodhur edhe këtu që larg qoftë të kishte humbje jete, ndërkohë në Janar kërkoni sa jetë të humbura ka në vendet e BE-së.
Fatmirësisht nuk ndodhi asgjë e tillë. Por ama rrugët u zhbllokuan në kohë rekord. Sepse u puna. Ministrja në mes të dëborës dhe stuhisë futet në borëpastruese që të dëgjohet kur flet, këtu bëhet nami. Ndërkohë ajo e shpreh vetë, se thotë po hipi në borëpastruese se nuk dëgjohet. Të hipësh në borëpastruese është keq, të mos shkosh është keq”.