Si çdo të hënë, kryeministri Edi Rama ka mbledhur drejtuesit politikë të qarqeve në selinë e PS-së. Pas përfundimit të takimit, Rama ka folur për mediat.
Rama ka lënë mundësinë e hapur për të shtyrë afatin e kartave të Identitetit deri më 20 prill, kërkesë kjo e opozitës.
“Kur bëhet fjala për zgjedhjet, zgjedhjet janë të përbashkëta, rregullat janë bashkërisht dhe çdo propozim i arsyeshëm që secila palë bën dhe është në interes të procesi zgjedhor, është i mirëseardhur. Bën sens dhe do të trajtohet me seriozitetin e duhur që të gjitha palët të jenë të barabarta”, tha Rama.
Ndërsa ka vijuar me akuzat e tij për presidentin Ilir Meta se po bën fushatë për LSI-në, kryeministri Rama është shprehur:
“Nuk ka nevojë për komente, veprimtaria ilegale e Metës është në sytë e të gjithëve. Meta nuk është në lartësinë e detyrës që i ngarkon kushtetuta, por është nën çdo nivel të justifikueshëm edhe për një person që ka humbur marrëdhënien me trutë e kokës, një president që bën propagandë kundër qeverisë, që flet me një gjuhë rruge, që lëviz ditën e natën për qëllime elektorale, që e ka vënë Presidencën në dispozicion të LSI dhe që çdo ditë humbet nivel në raport me detyrën nuk ka nevojë ta komentojë unë, se të gjithë e shohin dhe e ndjejnë dhe të gjithë do e dënojnë në 25 prill”, tha Rama.