Kryeministri Rama u shpreh në takimin me Grupin Parlamentar të PS-së se kjo mazhorancë ka detyrimin t’ia japë një Presidenti normal këtij vendi.
“Në muajin prill do të zgjedhim presidentin e Republikës. Krijimi i 2 Partive Demokratike na e bën të vështirë të gjejmë adresën se ku duhet ta kërkojmë dialogun me opozitën. Por ne duhet të mendojmë edhe mënyrën se si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje. Duhet të marrim opinionet e njerëzve për figurën e Presidentit të Republikës, pas disa figurave që e kanë degraduar figurën e kreut të shtetit. Ne duhet t’i japim shqiptarëve një njeri moral, që t’i kthejë identitetin njerëzor, moral dhe institucional zyrës së Presidentit të Republikës. Do ta gjejmë këtu brenda territorit tonë, por edhe territorit shpirtëror të kombit shqiptar, se mund të jetë edhe jashtë Shqipërisë. Por detyrimin e kemi të zgjedhim një njeri normal. Prandaj unë do t’ju lutesha të gjithëve të mendojmë në këtë sens. Dhe kushdo që ka ndonjë ide ta ndajë atë me drejtuesit e grupit”, tha Rama.