Kryeministri Edi Rama do të vizitojë nesër Kosovën në një kohë kur veriu i vendit është përfshirë në një valë trazirash për shkak të vendosjes së reciprocitetit me target serbe. Mësohet se Rama do të mbërrijë së pari në Kryeministri, ku edhe do të zhvillojë një takim me homologun e tij, Albin Kurti.
“Kryefjalë” e bisedimeve mes tyre do të jetë çështja e reciprocitetit, ku Rama e ka bërë edhe më parë me dije qëndrimin e tij, duke kërkuar dialog nga të dyja palët. Ndërkohë mësohet se pjesë e bisedës do të jetë edhe nisma “Ballkani i Hapur”, për të cilën deri më tani Kosova e ka refuzuar që të marrë pjesë. Pas takimit, të dy do të dalin në një konferencë për mediat.
Më pas, kreu i qeverisë Rama do të takohet me tre liderët e opozitës: Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku. Ndër të tre, më pikanti do të jetë takimi me Haradinajn, me të cilin edhe ka pasur përplasje në distancë, duke e paralajmëruar se do të hidhte në gjyq për shpifje lidhur me çështjen e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Po ashtu, gjatë qëndrimit në Kosovë, Rama do të dekorojë edhe akademikun, Rexhep Qosja.