“Shqipëria është peng i një bllokimi, midis fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në Konferencën e 18-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Nismës Adriatike Joniane, ku foli për ndryshimet që ka pësuar Shqipëria dhe rrugën drejt BE, që ai e cilësoi proces neurotik.
“Procesi drejt BE është proces neurotik. Shqipëria është peng i një bllokimi, midis fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Është nga ato situata që BE mund ta krijojë. S’ka libër dhe përvojë dhe ndonjë shpjegim se si mund të trajtohet. Si mund të mbetesh peng i mosmarrëveshjeve mes dy vendeve. Por ja që kështu është- siç thoshte Donald Trump. Duhet të mos humbasim durimin dhe dëshirën për Europën” tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se edhe pse po shikohen probleme të shumta me procesin e integrimit evropian, Shqipëria nuk ka rrugë tjetër, i duhet durim në këtë rrugë. “Për ne, plani është vetëm Evropa. Ne kemi shumë për t’i dhënë Rajonit. Problemet mund të krijojnë vetëm ndasi”, u shpreh kryeministri Rama.