Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka qenë Shqipëria që ka kërkuar që çështja e ndarjes së kufijve detarë me Greqinë, të gjykohet në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Hagë. Gjatë një bashkëbisedimi që pati sot me gazetarët, një ditë pas vizitës së ministrit grek, Nikos Dendias, Rama tha se diskutimet për ‘Detin” u hapën nga Shqipëria dhe vetë ai, pasi shteti grek ishte i kënaqur nga marrëveshja e vitit 2009, dhe mbi të donte të riniste bisedimet. Rama hodhi poshtë edhe qëndrimin e mediave greke, që thonë se kjo ishte një fitore e diplomacisë greke, dhe se Athina e përdori integrimin e Shqipërisë në BE si një formë presioni që Tirana të pranonte dërgimin e detit në Hagë, ku grekët ndjehen të sigurt se do të marrin atë që iu duhet.
“Çështjen e detit nuk e ka hapur Greqia, por Shqipëria. Greqia ishte shumë në rregull dhe nuk kërkonte asgjë më tepër sesa mori nga Berisha e Meta. Atë çështje e hapa unë, me këmbënguljen time, falë dhe bashkëpunimit të kryeministrit grek. Ai bashkë me ministrin Dendias ka zgjedhur që të vërë në dispozicion të gjithë vullnetin e tij të mirë. Më në fund pala greke ra dakort me ne, që me qeverinë e mëparshme nuk kishin arritur të binin dakort që ta çonin çështjen në duart e një drejtësie kombëtare. Në një mënyrë që një gjykatë ndërkombëtare të japë drejtësi për këtë problem. Kjo është një zgjidhje ideale për ne, në bazë të të gjitha protokolleve dhe standarteve, do të ulemi dhe të përgatitemi siç e kërkon procedura për të arritur një gjë të drejtë. Të tjerat janë skandale mendore.”-tha Rama.
Dje, ministri i Jashtëm grek vizitoi Shqipërinë ku takoi liderët kryesorë politikë në vend. Lajmi kryesor që prodhoi vizita e Dendias ishte konfirmimi i asaj që mediat greke e shkruanin prej javësh, se “Deti” do të gjykohej në Hagë. Kjo mosmarrëveshje mes dy vendeve do të gjykohet në instancat ndërkombëtare, ndërsa në Athinë kanë nisur “festimet”, pasi mediat greke thonë se ishte presioni i qeverisë së tyre që “Deti” të gjykohej në Hagë.