Kryeministri Edi Rama kërkon nga kreu i opozitës, Lulzim Basha që të bëjë transparencë në lidhje me akuzat e dëshmitarit Milaim Balanica.
I ftuar në “Top Story” në News 24, Rama tha se akuzat ndaj drejtuesve të UÇK-së kanë ardhur edhe nga vetë shqiptarët me fjalimet e tyre.
“E vërteta është që për fat të keq në çka po ndodh me lidershipin e UÇK-së të vënë nën akuzë, një rol të konsiderueshëm kanë vetë shqiptarët, ata që kanë folur, mbajtur fjalime dhe kanë bërë prononcime nga më të hatashmet që janë grumbulluar dhe janë kthyer në pyetje në seancat parapërgatitore. Përveç të tjerave ka edhe një raport famëkeq të Dick Martyt që është kthyer në rezolutë në Këshillin e Evropës që qeveria e asaj kohe e Sali Berishës dhe Ilir Metës e kanë votuar pro dhe ne si opozitës e kemi votuar kundër. Ajo që unë e kam kërkuar, që nuk ka lidhje me fushatën, por ka lidhje me një fakt shumë të thjeshtë që mendoj dhe besoj që kryetari i PD-së që udhëheq një parti politike, na detyrohet një shpjegim nga A-ja tek Zh-ja. Nuk jam as në kushtet kur po kërkoj të shfrytëzoj rastin për ta anatemuar si antishqiptar apo tradhtar që i kam vuajtur në kurrizin tim. Nuk besoj se është çështje tradhtie, por një transparence me publikun”, theksoi Rama.