Presidenti Ilir Meta ka dënuar gjestin e turpshëm të kryeministrit Edi Rama, i cili shtyu sot gazetaren Edona Haklaj, pasi kjo e fundit ishte pa maskë në momentin që kreu i qeverisë mbajti një pononcim për mediat.
Në një reagim në rrjetet sociale, Meta shkruan se Rama ka përdorur si preteks pandeminë, ndërsa shton se dënon plotësisht dhunën kanosjet dhe kërcënimet ndaj mediave.
Gjestin e kryeministrit, Meta e ka konsideruar të papranueshëm për traditën shqiptare, moralin njerëzor, për çdo shoqëri demokratike dhe etikën institucionale.
Reagimi i plotë:
Zero tolerancë për dhunën, kanosjet dhe kërcënimet ndaj medias duke përdorur si pretekst pandeminë! Dënoj me ashpërsi dhunën e papranueshme fizike të ushtruar sot nga Kryeministri ende në detyrë ndaj gazetares së nderuar të televizionit “Fax News”, znj.Edona Haklaj. Përdorja e forcës mbi një reportere në krye të detyrës, mbi të gjitha një vajze të re, me pretekstin e mosmbajtjes së maskës antiCOVID, është e papranueshme për traditën shqiptare, moralin njerëzor, për çdo shoqëri demokratike dhe etikën institucionale, për më tepër kur akti i dhunës ushtrohet publikisht nga kryetari i Këshillit të Ministrave.
Ky sulm i dënueshëm, që vjen pak ditë pas linçimit publik të znj.Grida Duma, është vijim i revanshit të rrugaçërisë, dhunës, presionit, shantazhit e bullizmit konstant, që prej vitesh ushtrohet ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura në vend, por dhe ndaj femrave e grave shqiptare, që në të kaluarën e kanë denoncuar dhunën ndaj tyre të këtij individi. Duke theksuar se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, u bëj thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit, si dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të grave, të reagojnë fuqimisht edhe ndaj këtij rasti të përsëritur. Shpreh solidaritetin tim të plotë me gazetaren Edona Haklaj, televizionin “Fax Neës” dhe të gjithë kolegët e saj të pavarur e kurajozë, të cilët i inkurajoj për të vijuar pa u trembur, misionin fisnik të informimit publik. Zero tolerancë për dhunën, kanosjet dhe kërcënimet ndaj medias duke përdorur si pretekst pandeminë!
Sot, teksa ndodhej tek shkolla “4 Dëshmorët” në kryeqytet, para nisjes së procesit të vaksinimit, kryeministri Edi Rama shtyu me përbuzje gazetaren Edona Haklaj, e cila ishte pa maskë. Asnjë nga kolegët gazetarë nuk e kundërshtoi shefin e qeverisë, i cili ishte për vete i pajisur me një maskë e cila i binte herë pas here. Vetë gazetarja, në një reagim në rrjetet sociale pranon se ishte pa maskë por shton se kishte shall, (barrierë mbrojtëse e deklaruar nga OBSH), kundër COVID19. Ajo paralajmëron Ramën se me veprimin e tij, ka shumë borxhe për të larë.