Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një thirrje publike kryedemokratit Lulzim Basha që të ndalë takimet me shumë njerëz gjatë fushatës elektorale. Rama tha nga Fieri se virusi nuk njeh të majtë dhe të djathtë por godet në katër anët.
Ai ironizoi, duke theksuar se Basha nuk duhet të ushqejë iluzione se duke mbledhur tufa me dy gishta mund të marrin vota më shumë Ai tha se nëse Basha dhe partitë e tjera duan takime me shumë njerëz duhet të drejtohen te autoritetet.
Ngjitur e ngjitur me njëri tjetrin për të përshëndetur karvanin e fitores imagjinare e atyre që pasi e humbën çdo shans të shkuarën, kërkojnë një shans të ri që nuk kanë për të marrë. Shqiptarët nuk duan më të eksperimentojnë rikthimin e PD në pushtet dhe të çfarë PD-je. Që sot është e përfaqësuar nga skuadra më e keqe, më e dobët, më absurde e 30 viteve.
I bëj thirrje Lulzim Bashës dhe opozitës të frenohen nga këto shfaqje. Virusi nuk njeh të majtë dhe të djathtë por godet nga katër anët njerëzit e dashur në familjet shqiptare. Dhe të mos ushqehen me iluzione se duke mbledhur ato tufa me dy gishta marrin ndonjë votë më shumë.
Është absurde dhe dëm i madh. Paralelisht me vaksinimin rregullat duhet të respektohen. Nuk kemi preferuar të shtrëngojmë ekonominë dhe mundësinë për punë. Kjo nuk do të thotë që njerëzit të lëshohen përtej nevojave të punës dhe jetës së përditshme në situata që bëjnë të kundërtën e vaksinës dhe përpjekjes së përbashkët.
Ne duhet të marrim një vendim shumë të qartë të gjithë bashkë. Ne e kemi marrë si PS, dhe nëse është nevoja për të shtuar më shumë se kufizimin e njerëzve të grumbulluar bashkë, ta adresojmë te autoritetet. Ne nuk e kemi problem. Ne e çojmë me 10 veta në 25 Prill. Por nëse është e nevojshme të drejtohemi te autoritetet”, tha Rama.