Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Emergjencën e Fëmijëve paralajmëruan për një rrezik në rritje të përhapjes së fruthit gjatë vitit 2022. Sipas organizatave në krahasim me vitin 2021, ka pasur një rritje me 80% të infektimeve.
“Pothuajse 17,338 raste të fruthit u raportuan në mbarë botën në janar dhe shkurt 2022, krahasuar me 9,665 gjatë dy muajve të parë të 2021,” thanë organizatat në një njoftim për shtyp të mërkurën.
OBSH nënvizon se vatrat më të mëdha janë në Afrikë dhe rajonin e Mesdheut Lindor. Njëzet e tre milionë fëmijë nuk mundën të vaksinoheshin në vitin 2020, thanë organizatat.
Fushatat e vaksinimit të fëmijëve janë penguar kohët e fundit nga pandemia dhe lufta në Ukrainë në vendet sii Etiopi, Somali dhe Afganistan.
Sipas OBSH-së dhe UNICEF-it vaksinimi në masën mbi 95% mund të mbrojë kundër fruthit.