Të gjithë qytetarët që kanë ndryshuar vendbanimin, duhet të saktësojnë adresën e re, ose në të kundërt nuk do të marrin asnjë shërbim në Gjendjen Civile, qoftë edhe marrjen e një certifikate. Kështu bëri me dije Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, gjatë prezantimit të fushatës për regjistrimin e banesave. Sipas Çuçit, regjistrimi i vendbanimit sjellë përfitime dhe akses në shërbimet publike për të gjithë qytetarët.
“Nuk do ta marrë më certifikatë nëse ai nuk konfirmon adresën sipas sistemit unik. Kështu do ta shtrimë edhe për shërbime të tjera këtë detyrim. Ky proces i rëndësishëm i marrëdhënies me qytetin dhe shtetin të përfundojë. Pasi të jenë saktësuar adresa do të lidhet me regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Siç jepen të gjitha të dhënat, te rubrika adresa do të përfshihet edhe adresa. Në certifikatë do të ketë adresën e saktë çdo shtetas shqiptar. Çdo shtetas shqiptare identifikohet sot lehtësisht me këtë adresë. Kështu që unë kërkoj në radhë të parë nga të gjithë ne, nga të gjithë ju që jeni këtu, nga kryetarët bashkive një angazhim maksimal që të mbyllim këtë proces të rëndësishëm. Por edhe qytetarët ti kushtojnë vetëm dy minuta kohë për të vendosur një marrëdhënie korrekte, për të kryer një detyrim qytetar që të saktësojë adresën e tij atje ku banon. Shumë shpejt do ta kushtëzojmë këtë proces me dhënien e shërbimeve. Por nuk duam që të arrijmë në atë pikë sepse besojmë se shqiptarë e kanë atë koshiencë që ti kushtojnë dy minuta angazhimit të tyre për të vendosur një marrëdhënie sa më të saktë me shtetin e tyre,” u shpreh Çuçi.
Ai sqaroi se vetëdeklarimi i adresës së saktë bëhet në “eAlbania” ose në zyrat e Gjendjes Civile pranë bashkive. “Regjistri Kombëtar i Adresave do të jetë burimi i vetëm i saktë dhe i përditësuar për të gjithë shtetasit, institucionet publike dhe bizneset”, njoftoi Çuçi.
Hapat që duhen ndjekur për t’u regjistruar në e-Albania:
Identifikohu si qytetar
Kërko shërbimin aplikimin për ndryshim apo saktësim vendbanimi
Kiliko te Lexo më shumë për të mësuar të gjitha hapat
Kliko butonin përdor
Shko te krijoi aplikim të ri (kërkohet plotësimi i elementëve të adresës)
Nëse nuk e di adresën e vet klikoni te linku i regjistrit të adresave të hapet harta për të bërë identifikimin automatikisht të adresës
Plotësoni fushat një nga një
Ngarkohet dokumenti që vërteton pronësinë
Kliko butonin apliko
Nga dy koment bëhet verifikimi dhe brenda 24 orëve ju vjen mesazhi te e-Albania
Mund të shkarkoni certifikatën për të verifikuar adresën