Administrata e Presidentit Joe Biden ka zhvilluar bisedime sekrete me më shumë vende sesa ato që ishin bërë publike në një përpjekje të dëshpëruar për të siguruar marrëveshje për strehimin e përkohshëm të afganëve që kanë punuar për qeverinë amerikane, sipas një njoftimi të katër zyrtarëve amerikanë për Reuters.
Diskutimet e pa raportuara më parë janë Kosova dhe Shqipëria. Administrata e Biden ka diskutuar me këto dy vende, duke arritur marrëveshje për të strehuar afganët nga hakmarrja talebane, derisa të përfundojë procesi i miratimit të vizave të tyre amerikane.
Me talibanët që kanë marrë pothuajse në kontroll të gjithë Afganistanin, Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se do të dërgojnë 1.000 zyrtarë në Katar për të përshpejtuar procesin e vizave speciale të emigrimit.
Afganët, të cilat kanë punuar si përkthyes për qeverinë amerikane apo kanë bërë punë të tjera kanë të drejtë të aplikojnë për programin SIV. Deri më tani, rreth 1.200 afganë janë evakuuar në Shtetet e Bashkuara dhe ky numër pritet të rritet në 3.500 gjatë javëve të ardhshme nën “Operacionin e Aleatëve Refugjatë”.
Shumë prej tyre janë strehuar në bazën ushtarake amerikane në Virxhinia, derisa të përfundojnë plotësimin e dokumenteve për qëndrim
Nga frika se përparimet e talebanëve po rrisin kërcënimin për aplikantët e SIV që janë ende në pritje, Uashingtoni po kërkon vendet e treta që t’i presin ato derisa të mbarojnë dokumentet e tyre dhe ata të mund të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara.
“Kjo situatë është shumë shqetësuese pasi nuk ka ndonjë plan konkret për evakuimin e aleatëve të cilët janë të rrezikuar,” tha Krish O’Mara Vignarajah, presidente e organizatës së Shërbimit Ligjor të Imigrimit dhe Refugjatëve.
“Është befasuese pse administratës i është dashur kaq shumë kohë për të nënshkruar marrëveshje të tilla,” tha ajo.
Ndërsa ende nuk ka asnjë marrëveshje me vendet e treta, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha, “Ne po vlerësojmë të gjitha opsionet që kemi në dispozicion.”
Shumica e vendeve hezitojnë
Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se vendet ishin në mëdyshje për të marrë afganët për shkak të shqetësimeve në lidhje me cilësinë e verifikimit të sigurisë dhe kontrollit shëndetësor për COVID-19 para se të lejoheshin të fluturonin. Vendet e tjera me të vilat po negocion SHBA janë edhe Kazakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani.
Shumica janë të shqetësuar se cilët janë këta njerëz. A mund të siguroheni që këta njerëz do të marrin vizat për në Shtetet e Bashkuara?
Kush do të kujdeset dhe do të ushqejë këta njerëz?
Çfarë ndodh nëse këta njerëz largohen nga vendet ku ata po qëndrojnë momentalisht? ” tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.
Një marrëveshje për strehimin e rreth 8,000 afganëve në Katar ka përfunduar përpara disa javësh, sipas një njoftimi të një zyrtari amerikan, por ende nuk është bërë publike. Zyrtarët paralajmërojnë se ritmi i çdo marrëveshjeje të mundshme mund të pengohet nga situata në Afganistan që po ndryshon me shpejtësi.
Përfaqësuesi amerikan Jason Crow, i cili ka udhëhequr përpjekjet e Kongresit për të shpejtuar proçesin e SIV, tha se administrata duhet të vendosë trupa amerikane në aeroportin e Kabulit për të ndihmuar në evakuimin e stafit të ambasadës, një mënyrë për të përshpejtuar proçesin e vizave.
Në të njëjtën kohë, Crow, një ish ushtar i cili shërbeu në Afganistan, tha se është e vështirë të evakuohen të gjithë aplikantët e SIV dhe familjet e tyre sepse ata nuk mund të shkojnë dot në Kabul. Ngurrimi i disa vendeve ka bërë që administrata ti bëjë thirrje vendeve të tjera të bashkëpunojnë sigurisht me ndihmën e Uashingtonit.
Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës koncesione ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve, por ka shqetësim në Uashington për aftësinë e saj për të strehuar afganët, thanë burimet, raporton abcnews.al
Ministria e jashtme në Kosovë nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Po ashtu ambasadat e Shqipërisë, Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
1,200 afganët e evakuuar janë vetëm një pjesë e 21,000 personave që kanë aplikuar për SIV dhe administrata e Biden po përpiqet ti mundësojë strehim të përkohshëm. Sipas të dhënave, numri i personave të evakuuar është 80,000, së bashku me anëtarët e familjes së tyre.
James Miervaldis, kryetar i një organizatë që ndihmon aplikantët e SIV të mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara, tha se mundësia që shumica e aplikantëve të evakuohen është e pakët. Kjo është çështje po diskutohet ende nga ligjvënësit në Kongres, përfshirë aleatët e Biden.
“Ne duhet të mbajmë premtimet tona për mijëra afganë që rrezikuan jetën e tyre për të na ndihmuar. Është koha që Biden të lërë mënjëanë burokracinë dhe të ndihmojë afganët, “tha kongresistja Sara Jacobs.