Janë me dhjetëra personazhet më me influencë të vitit 2022, sipas revistës Prestigjioze “Time”, por në krye të klasifikimit qëndrojnë dy artiste, britanikja Adele dhe reperja Mary J. Blige. Dy artistet, super yjet e botës së muzikës, janë vlerësuar si femrat më me influencë në kategorinë “ikonë” për 2022.
34-vjeçarja Adele është përshkruar si artiste e rrallë, një njeri i ndershëm dhe elegant. “Në një kohë që njerëzit përpiqen që të shesin gjithçka nga vetja, ka edhe njerëz që duan të bëjnë më të mirën, me muzikë të jashtëzakonshme dhe t’ia dhurojnë atë botës”, do të shkruante James Corden për revistën “Time” referuar shembullit të Adele.
Po i njëjtë është vlerësimi për 51-vjeçaren Mary J. Blige, e cila vazhdon të korrë sukses qark globit. Prej vitesh konsiderohet mbretëresha e muzikës Hip-Hop and Soul dhe sot renditet mes personaliteteve më me influencë në botë, falë muzikës së saj. Rrugët kanë nevojë për emrin e zërin e saj, kultura pop ka nevojë për Mary J. Blige do të shkruante “Time” për reperen amerikane.
Pjesë e listës së 100 personazheve më me influencë në botë janë prezantuesja Oprah Uinfrey, këngëtarja Zendaya, presidentët Zelensky apo Biden, por nuk mungon as Vladimir Putin, si njeriu që prej 24 shkurtit ka futur Rusinë në luftë me Ukrainën. Revista “Time” do t’i ndajë çmimet të mërkurën e 8 qershorit në një mbrëmje gala në Nju Jork.