Elez Gjozaj është zgjedhur sot presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Ai fitoi në raundin e dytë me 10 vota kundrejt 6 të Eglantina Çunit, ndërkohë që të drejtë vote kishin 17 anëtarë, por Lushnja u përjashtua pasi u përfaqësua me kryetarin e bashkisë, në kundërshtim me statutin e federatës.
Gjithsej ishin katër kandidatë, por Flamur Isufi u dorëhoq pak para zgjedhjeve, duke u deklaruar hapur pro Elezit. Ndërkohë Everest Troka u eliminua në raundin e parë ku nuk mori asnjë votë.Për Gjozajn kjo është hera e dytë si president, ndërsa të parën u largua për shkak se shumë peshëngritës rezultuan pozitiv në testet e dopingut. Pas zgjedhjes për 4 vitet e ardhshme Gjozaj u shpreh:
“Unë falënderoj ata që më votuan, por edhe ata që nuk më zgjodhën, pasi të gjithë do të punojmë bashkë. Ne jemi një federatë elitare dhe më e mira në Shqipëri. Përsa i përket çështjes së dopingut do të mbajë marrëdhënie shumë të sakta dhe permanente me WADA dhe ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve. Unë kësaj radhe do vendos me vendim të kryesisë që sportisti që del pozitiv do të shkojë për ndjekje penale”, tha Gjoza.