Fshirja e fotove të performancës së Ronela Hajatit nga faqja zyrtare e Eurovisionit nuk u prit mirë jo vetëm nga publiku shqiptar, por edhe nga të gjithë fansat e artistes. Performanca e konsideruar ‘provokuese’ është komentuar gjatë ditët e fundit dhe, me sa duket, do të ketë ndryshime.
Dy nga artistët e ekipit shqiptar në Eurovision, stilisti Niko Komani dhe koreografja Klaudia Pepa, në fakt thanë për mediat se kënga dhe bashkë me të edhe performance janë pritur shumë mirë në Torino, kështu që nuk do të kishte ndryshim të koreografisë. Por mësohet se në adresë të ekipit shqiptar ka mbërritur një email zyrtar nga Eurovision, ku është kërkuar ndryshimi i koreografisë.
Në një lidhje direkte për “Shqipëria live”, gazetari William Lee Adams konfirmoi se fshirja e fotove të Ronelës erdhi pikërisht sepse u konsideruan provokuese. Sipas tij, shkak i fshirjes është edhe fakti që këngëtarja do të performojë e para në festival.
Duke cituar burime pranë produksionit të Eurovision, Adams konfirmoi se ekipi shqiptar ka marrë një email zyrtar për të ndryshuar disa pjesë specifike të koreografisë.
“Duke qenë së Shqipëria dhe Ronela do të jenë të parët që do të performojnë në gjysëmfinalen e parë, s’kanë dashur që të konsiderohet si një skenë provokuese dhe i kanë fshirë për të mbajtur audiencën para ekranit deri në fund… Burime më kanë thënë se Shqipëria ka marrë një email zyrtar, ku janë informuar se nuk i ka pëlqyer produksionit apo organizatorëve të Eurovision kjo mënyrë e interpretimit. U është kërkuar që të ndryshojnë disa momente specifike të koreografisë, nuk e di se për çfarë momentesh, por është e sigurt që koreografia do të ndryshohet,”,– tha Adams për “Shqipëria Live.”
Adams shtoi gjithashtu se këngëtarja shqiptare ka një performancë moderne dhe duhet falënderuar për këtë. Ai e konsideroi diskriminues faktin që fotot e përfaqësuesit të Finaldës janë ende në faqen zyrtare të Eurovision, ndërsa të Ronelës u fshinë.
“Është e pakuptueshme dhe diskriminuese fakti që në faqen zyrtare të Eurovision, mes fotove është edhe fotoja e artistit finlandez, i cili shfaqet i zhveshur. Si është e mundur që kjo nuk konsiderohet e papranueshme, ndërkohë që kemi një artiste femër e cila censurohet për shkak të performancës?”