Fier- Gjykata e Fierit vendosi masën arrest burg për dy të ndaluarit dhe detyrim paraqitje për bashkëpuntorin e tretë për ngjarjen e ndodhur në Ballsh, ku humbi jetën 57-vjeçari, Pelivan Sinorrapaj pasi u rrah nga shokët.
Gjykata ka lënë në burg Festim Alimetaj 53 vjeç dhe Ferdinand Merkaj 44 vjeç, ndërsa është vendosur masa e sigurisë detyrim paraqitje për Fitim Zekaj 42-vjeç.
Por si ishte ngjarja?
Në datë 29 janar në mbrëmje Pelivan Sinorrapaj ishte ulur në lokalin e lagjes në Ballsh së bashku me tre shokë.
Pasi kaluan disa orë duke konsumuar alkool, 57-vjeçari me tre shokët Fitim Zekaj 42 vjeç, Festim Alimetaj 53 vjeç dhe Ferdinand Meraj 44 vjeç u konfliktuan, sipas dëshmitarëve për politikë. Sherri vazhdoi edhe jashtë lokalit, ku Pelivan Sinorrapaj u godit dhe u gjakos. Tre shokët e lanë në mes të rrugës dhe u larguan.
Babai i tre fëmijëve u dërgua për mjekim të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë por mesditën e sotme ka ndërruar jetë. Ai do të përcillet nesër për në banesën e fundit.
Policia kreu ndalimin e autorëve ndërkohë që gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” disa ditë më parë. Por tani do të përballen me akuzën e plagosjes me pasojë vdekjen. Një prej fqinjeve të 57 vjecarit tregoi pak ditë më parë për ABC se Sinanrrapaj ishte i papunë por së fundmi bashkëshortja ishte punësuar nga Bashkia e Ballshit.