Pas marrjes së vendimit të parë të Bordit të Ushqimeve, strukturë kjo e ngritur pas rritjes abuzive të çmimeve në vend, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka dalë në një konferencë për mediet. Ibrahimaj tha se Bordi vendosi të mbajë nën kontroll çmimin e 4 ushqimeve kryesore të shportës: vajit, miellit, orizit dhe sheqerit. Ndër të tjera, ministrja theksoi se sipas skenarëve më pesimiste do të shikohet mundësia që ata që konsumojnë më tepër të paguajnë më shumë taksa.
“Ne nuk kemi deklaruar se do të ketë një rritje të çmimit të energjisë, ne kemi menduar, se nëse skenarët më pesimistë do të realizohen, ai që do të konsumojë më shumë do të paguajë më shumë, por ende nuk ka vendimmarrje dhe një deklaratë për këtë”, tha Ibrahimaj.
Ministrja tha po ashtu se sot pritet që të dilet me çmime reference për 4 produktet që po shqyrtohen, të cilat janë edhe produktet e shportës që kanë pësuar rritje të ndjeshme të çmimeve në javët e fundit.