Është presidenti Vladimir Putin ai i cili ‘korrigjon’ gabimin e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov që u shpreh se Hitler ka gjak hebre. Shefi i Kremlinit i kërkoi falje kryeministrit të Izraelit, raporton Euronews. Izraeli është një nga të paktat vendet që ka një qëndrim neutral ndaj Moskës sa i përket luftës në Ukrainë.
Ndërkohë, kreu i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres akuzon sërish Rusinë se po provokon luftën dhe përsëriti thirrjet që të vendoset paqja sa më shpejt.
“Gjatë udhëtimeve të mia nuk i zbuta deklaratat. Unë thashë të njëjtën gjë si në Moskë edhe në Kiev, është pikërisht ajo që e kam shprehur vazhdimisht në Nju Jork, pushtimi rus në Ukrainë është shkelje e integritetit të saj territorial dhe kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe duhet të përfundojë për hir të popullit të Ukrainës, Rusisë dhe të gjithë botës”, u shpreh Guterres. Përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit i ka injoruar akuzat dhe ka shpjeguar se Rusia është provokuar dhe vazhdon të provokohet nga furnizimi me armë i Ukrainës
SHBA u ka bërë thirrje anëtarëve të këshillit që të dënojnë pushtimin, por deri më tani askush nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij.