Forcat ruse në Mariupol kanë filluar të paguajnë pensionet në rubla ruse, tha të enjten një këshilltar i kryebashkiakut ukrainas të atij qyteti.
“Tani dihet se pushtuesit kanë dorëzuar kamionë me para,” tha Petro Andrushchenko në televizionin kombëtar. “Pensionet ruse po u shpërndahen pensionistëve në rubla ruse”. “Por ju e kuptoni se çfarë po ndodh atje: Radhë të mëdha, zënka, skandale, për shkak të vapës, sepse në të vërtetë nuk ka asnjë organizim. Domethënë nuk organizohet asnjë proces”, tha ai. Andrushchenko nuk është në qytet, por ka qenë një kanal i besueshëm për informacion nga Mariupol.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti ka raportuar se janë pranuar rreth 46 mijë aplikime për pagesa pensionesh dhe se Republika Popullore e vetëshpallur e Donetskut ka filluar t’i paguajë ato përfitime.