Rusi- Rusia është e gatshme t’i ndërpresë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, nëse blloku i vendos sanksione të reja, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
BE shfaqi mundësinë e sanksioneve të reja për shkak të trajtimit që po i bën Moska liderit të opozitës në Rusi, Alexei Navalny, i cili është burgosur.
“Ne nuk duam ta izolojmë veten nga çështjet botërore, por duhet të përgatitemi për këtë”, tha Lavrov duke folur në kanalin rus në YouTube, Solovyov Live.
“Nëse doni paqe, përgatituni për luftë”, tha ai.
Javën e kaluar, Rusia dhe BE-ja kanë dëbuar diplomatë të njëra-tjetrës për rastin Navalny. Navalny është arrestuar muajin e kaluar, pasi ka arritur në Moskë nga Gjermania.
Në Gjermani, ai është trajtuar për helmimin me agjentin nervor Noviçok. Navalny ka fajësuar direkt Kremlinin, por ky i fundit e ka mohuar përfshirjen.
Autoritetet ruse e kanë arrestuar në bazë të disa akuzave të mëhershme për përvetësim fondesh. Sipas Navalnyt, ato janë të motivuara politikisht.
Marrëdhëniet midis Moskës dhe BE-së, në fakt, kanë qenë të acaruara prejse Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë, më 2014, dhe vazhdon të mbështesë separatistët që luftojnë forcat qeveritare në lindje të Ukrainës.
Javën e kaluar, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se vendet anëtare do të vendosin për hapat e rinj kundër Rusisë, që mund të përfshijnë edhe sanksione.