TIRANË– Ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha është përjashtuar përgjithmonë nga Partia Demokratike. 28 anëtarët e tjerë të Komisionit të Rithemelimit të kësaj force politike që i dolën kundër Lulzim Bashës dhe strukturave të tjera të Partisë, po ashtu janë lënë jashtë strukturave të partisë blu. Këto vendime të rëndësishme u morën gjatë mbledhjes së Kryesisë që u zhvillua ditën e djeshme në orën 18:00 brenda në selinë blu, nën drejtimin e Lulzim Bashës.
Mbledhja filloi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme dhe ka mbaruar në orët e para të mëngjesit të sotëm. Me urdhër të kryetarit Lulzim Basha, të gjithë anëtarëve të Kryesisë u janë mbledhur celularët që të mos dilnin informacione në media dhe diskutimet kanë vijuar normalisht.
Anëtarët që tashmë nuk janë më pjesë e PD, sipas Kryesisë janë: Agron Shehaj, Albana Vokshi, Aldo Bumçi, Arben Ristani, Belind Kelliçi, Blendi Himci, Bujar Nishani, Çlirim Gjata, Edit Harxhi, Edi Paloka, Edmond Spaho, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Evi Kokalari, Flamur Noka, Gent Deromemaj, Genc Pollo, Genti Strazimiri, Rigels Mucollari, Ivi Kaso, Keltis Kruja, Klevis Balliu, Ledina Mandia, Luan Baci, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi, Sali Berisha, Tritan Shehu.
Çfarë ka ndodhur në Partinë Demokratike? Po me 8 Janar?
Më 8 Janar në selinë e PD, ndodhi një situatë e paprecedentë me dhunë e të lënduar, ku për më shumë se 3 orë pati përplasje mes mbështetësve të Berishës me ata të Bashës që ishin brenda godinës. Megjithatë protestuesit u larguan me mbërritjen e rreshtimin e Policisë së Shtetit në oborrin e PD-së, ku edhe nisën menjëherë veprimet për hetim. Për disa orë, selia e PD ishte e mbushur me efektivë policie dhe hetues, ndërkohë që Basha akuzoi ish-kryeministrin Berisha për të gjitha sulmet dhe trazirat e shkaktuara.
34 persona u vunë në pranga që akuzohen për kryerjen e veprave penale: “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. 18 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë për ngjarjet e ndodhura në Selinë e Partisë Demokratike. Mes tyre është edhe sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi e deputeti Flamur Noka. Vetë Basha e ish-kryeministri Berisha do të merren në pyetje nga prokuroria në lidhje me ngjarjen në fjalë.