TIRANË– Sot 17 Maji, është dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë. Në të gjithë botën, mbi 2 miliardë njerëz jetojnë në vende ku homoseksualiteti është i paligjshëm, ndërsa dënimi me vdekje mbahet si një dënim ligjor për marrëdhëniet të të njëjtit seks në 11 juridiksione.
Gjatë 10 viteve të fundit, bota ka parë shenja përparimi, megjithatë, diskriminimi dhe përjashtimi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor vijon. Nivelet e dhunës ndaj personave LGBTI janë gjithashtu alarmante, edhe pse në masë të madhe të pa raportuara.
Konfliktet e armatosura dhe emergjencat humanitare i vënë në rrezik të veçantë personat LGBTI, e në rastin konkret rreziku është shtuar edhe nga agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë kundër Ukrainës. Ka pasur raportime për persona transgjinorë që janë penguar të largohen nga vendi si dhe incidente dhune ndaj personave LGBTI.
Në vendin tonë, Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj janë 2 aktivistë të cilët kanë ngritur fort zërin për të drejtat e këtij komuniteti. Madje, Xheni Karaj është shpallur së fundit edhe fituese e e çmimit ndërkombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut të organizatës ‘Civil Rights Defenders’ me bazë në Suedi. Ajo është cilësuar nga Bordi i Drejtorëve si një aktivistet më guximtare e LGBTI+, me një qëndresë këmbëngulëse për të drejtën e çdo individi për të pasur orientimin e tij seksual apo identitet gjinor.
Nuk dihet ende nëse do të ketë një paradë në kryeqytet ku do të valëvitet flamuri i këtij komunitetit, ashtu siç është bërë edhe në vitet e kaluara, megjithatë kjo ditë shërben për të kujtuar se në këtë botë secili duhet të jetë i lirë të jetë ai që është dhe ta dojë atë që zgjedh pa frikë.