Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare Sekretarja e parë e Shtetit në SHBA, Madeleine Albright. Ajo dha një kontribut të madh në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.
Lajmi i ndarjes nga jeta të Albright u konfirmua përmes një emaili drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga Albright.
Albright ishte një figurë kryesore në administratën e Presidentit Bill Clinton. Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s, nxiti që alenaca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti demokracinë dhe të drejtat e njeriut në të gjithë botën.
Ajo ishte një fytyrë e rëndësishme e politikës së jashtme të SHBA-së në dekadën midis fundit të Luftës së Ftohtë dhe Luftës kundër Terrorit të shkaktuar nga sulmet e 11 Shtatorit 2001, një epokë e shpallur nga Presidenti George Bush si një “rend i ri botëror”. Albright e shihte SHBA-të si “kombin e domosdoshëm” kur ishte fjala për përdorimin e diplomacisë të mbështetur nga përdorimi i forcës për të mbrojtur vlerat demokratike në mbarë botën.
“Unë e di se burrat dhe gratë amerikane me uniformë janë gjithmonë të përgatitur të sakrifikojnë për lirinë, demokracinë dhe mënyrën amerikane të jetesës”,- tha ajo në vitin 1998.