Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe 19 vende tjera, përshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët përmes së cilës u bëhet thirrje talebanëve që të respektojnë të drejtat dhe sigurinë e grave dhe vajzave afgane.
Këto vende shprehin shqetësimin e thellë për situatën në të cilën gjenden gratë dhe vajzat afgane, përkatësisht sa i takon të drejtave të tyre për arsimim, punën dhe lirinë e lëvizjes.
Deklarata u lëshua tre ditë pasi talebanët hynë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul dhe rrëzuan qeverinë e mbështetur nga Perëndimi.
“Atyre që janë në pushtet dhe autoriteteve në të gjithë Afganistanin ne u bëjmë thirrje të garantojnë mbrojtjen e tyre (grave dhe vajzave)”, thuhet në deklaratë.