SHBA ka njohur rezultatin e zgjedhjeve. Ned Price, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit ka përgëzuar Shqipërinë për procesin e zgjedhjeve të 25 prillit. Në një status në rrjetet sociale, Price shkruan se vazhdojnë të shpresojnë për një partneritet të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe të përgëzojnë fushatën e fortë të opozitës. Ndër të tjera, zëdhënësi i DASH shton se respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka komentuar për herë të parë procesin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku fituese ka dalë Partia Socialiste. Kim falenderoi të dy liderët e partive të mëdha, Edi Rama dhe Lulzim Basha për fushatën e bërë, ndërsa shtoi se populli foli qartë.
Sa i përket shkeljeve të pretenduara gjatë procesit zgjedhor por edhe numërimi, ambasadorja Kim kërkoi që palët të presin publikimin e raportit final të OSBE, duke shtuar se duhet të përdoret për të përmirësuar votimet e radhës. Në fund, Kim ka përcjellë edhe një mesazh për të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, duke kërkuar ndjekjen e tyre nga instancat e drejtësisë.