KOREA E VERIUT- Një nga zyrtarët më të lartë të SHBA-së në Paqësor ka refuzuar të përjashtojë një veprim ushtarak kundër Ishujve Solomon nëse do të lejonte Kinën të krijonte një bazë ushtarake atje, duke thënë se marrëveshja e sigurisë midis vendeve paraqiste “implikime të mundshme të sigurisë rajonale” për SHBA dhe aleatët e tjerë.
Sipas The Guardian, ambasadori Daniel Kritenbrink, ndihmës sekretari i shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit, ishte pjesë e një delegacioni të nivelit të lartë të SHBA në vendin e Paqësorit javën e kaluar.
Ai tha se ekipi amerikan, i cili përfshinte gjithashtu koordinatorin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Kurt Campbell, pati një takim 90-minutës në të cilin ekipi amerikan detajoi shqetësimet në lidhje me marrëveshjen e sigurisë me Kinën.
“Ne donim të përshkruanim për miqtë tanë në Solomonët se cilat janë shqetësimet tona. Kryeministri Sogavare tregoi se nga këndvështrimi i Ishujve Solomon, marrëveshja që ata kanë përfunduar ka vetëm implikime të brendshme. Por ne e kemi bërë të qartë se ka implikime të mundshme të sigurisë rajonale të marrëveshjes jo vetëm për ne, por për aleatët dhe partnerët në të gjithë rajonin,”-tha Kritenbrink.
Të martën, Kritenbrink përsëriti gatishmërinë e SHBA për të vepruar në rajon nëse një bazë ushtarake do të krijohej nga Kina.
“Sigurisht, ne kemi respekt për sovranitetin e Ishujve Solomon, por duam gjithashtu t’u bëjmë të ditur se nëse do të ndërmerren hapa për të krijuar një prani ushtarake të përhershme de facto, aftësitë e projeksionit të fuqisë ose një instalim ushtarak, atëherë do të kishim shqetësime të rëndësishme dhe ne do t’u përgjigjemi shumë natyrshëm këtyre shqetësimeve,”-tha ai.
Në një deklaratë javën e kaluar, administrata e Biden tha se SHBA do të “përgjigjej në përputhje me rrethanat” nëse Kina lejohet të krijojë një prani afatgjatë në ishuj.
Teksti i marrëveshjes së sigurisë, i cili u nënshkrua nga Kina dhe Ishujt Solomon është sekret, megjithëse deputetët e Ishujve Solomon kanë kërkuar që kryeministri ta publikojë atë publikisht.