Vlorë- 4 banesa do të shemben ditën e sotme një lagjen “1Maji” në Vlorë.
Banesa të cilat preken nga projekti i Transballkanikes, rrugë që do të bëjë lidhjen e këtij aksi me portin detar të Vlorës. Banorët janë ngritur në protestë disa herë, madje kanë pasur takim me nënkryetarin e bashkisë Afrim Qëndro i cili premtoi zgjidhje,por deri më tani nuk është bërë asgjë. Mbi 50 efektivë policie kanë qenë të pranishëm në aksionin e shembjes së banesave. Njëra prej banoreve është përplasur me policinë.
Burime për Alba News bëjnë me dije se deri më tani është shembur vetëm një banesë, nga 4 që është thënë se do të shemben, prishja është pezulluar pasi mjeti ka përsuar një defekt.
Sipas banorëve kanë patur një takim në bashkinë e Vlorës teksa në këtë institucion kanë kërkuar ti presë në takim kryetari i bashkisë Leli ndërsa i ka pritur nënkryetari Afrim Qëndro i cili i ka ofruar bonus qeraje për rreth tre vite si dhe banesa sociale në momentin kur do të ndërtohen. Banorët nuk e kanë mirëpritur fare këtë vendim teksa e konsiderojnë llafe dhe premtime boshe sa për ti nxjerrë nga banesat dhe më pas sipas tyre institucionet do t’i lënë në rrugë.
Ajo ç’ka i ka irrituar më tepër banorët është devijimi i rrugës ekzistuese nga rruga aktuale në sistem diagonal. Gjithashtu ata deklarojnë se pas banesave të tyre po ndërtohen dy njësi hoteliere dhe për këtë arsye sipas tyre po devijohet rruga për ti dhënë më shumë akses atyre dhe për këtë arsye po shemben banesat e tyre.