Që prej nisjes së luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, presidenti Volodymyr Zelensky është bërë tashmë simboli i rezistencës së popullit ukrainas, kundër forcave pushtuese ruse. Fjalimet e tij emocionuese në Samite, Kongrese e Parlamente të ndryshme, po frymëzojnë liderët perëndimorë, të cilët kanë shprehur gjithmonë përkrahjen dhe ndihmën e tyre ndaj Ukrainës.
Zelensky erdhi në pushtet me shumë pak përvojë politike. Përpara se të zgjidhej, ai njihej më së shumti si aktor, ku famën më të madhe e mori në serialin, “Shërbëtori i Popullit”, në rolin e një mësuesi të zakonshëm shkolle që u zgjodh president i vendit. Që nga fillimi i sulmeve ruse, më 24 shkurt, Zelensky është shfaqur në krye të ushtrisë së tij, teksa u kërkon njerëzve të luftojnë. Në shumë raste, 44-vjeçari ka kërkuar nga liderët perëndimorë rritjen e përpjekjeve për të mposhtur Putinin.
I zhgënjyer disi nga mosgatishmëria e Perëndimit për të ndërhyrë ushtarakisht, Zelensky ka këmbëngulur në kërkesën e tij ndaj Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, për të zbatuar një zonë “të ndalimit të fluturimeve” mbi Ukrainë , një ide që NATO-ja e ka hedhur poshtë, duke thënë se do ta fuste aleancën, automatikisht, në një luftë me Rusinë. Presidenti ukrainas është shprehur që në fillim se ai dhe familja e tij janë objektivi kryesor i Kremlinit, por pavarësisht kësaj, Zelensky nuk ka ndërmend të largohet.
Sa kohë ka që Volodymyr Zelensky është president i Ukrainës?
Zelensky u zgjodh president në vitin 2019, duke mposhtur presidentin e atëhershëm, Petro Poroshenko. Roli që ai luajti në shfaqjen e tij televizive, ku portretizonte një njeri të zakonshëm që vjen në pushtet, duket se e ndihmoi shumë atë për të katapultuar me sukses në botën e politikës, dhe të udhëhiqte vendin. Edhe partia e tij politike mori emrin e serialit të suksesshëm, “Shërbëtori i popullit”.
Ku është Zelensky tani?
Presidenti ukrainas ka folur nga zyra e tij në Kiev, ditët e fundit, por vendndodhja e tij e saktë nuk deklarohet, për arsye sigurie. Në një intervistë të fundit, ai tha se i ishte ofruar një kalim i sigurt jashtë vendit, nëse situata përkeqësohej më tej, por theksoi se do të qëndronte në vendin e tij. Në një video të publikuar nga shërbimi i shtypit presidencial, Zelensky u shfaq duke vizituar ushtarët e plagosur në një spital.
Çfarë tha Zelensky në fjalimin e tij në Kongresin Amerikan?
Volodymyr Zelensky u kërkoi me ngulm anëtarëve të Kongresit të SHBA-së ndihmë të mëtejshme ushtarake, duke iu kujtuar atyre edhe sulmet e 11 shtatorit, si dhe ato në Pearl Harbor.
“Të jesh lider i botës do të thotë të jesh lider i paqes. Ne po luftojmë për vlerat e Evropës dhe botës.”
Volodymyr Zelensky në Kongresin Amerikan
Zelensky foli pjesën më të madhe të fjalimit në gjuhën e tij, por e mbylli atë në anglisht me një lutje për Kongresin dhe presidentin. Ai i fokusoi kërkesat e tij në forcimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Presidenti ukrainas i është drejtuar gjithë këto kohë edhe qeverive të tjera perëndimore, duke iu kërkuar atyre ndihmë. “Të gjithë ju duhet të bëni më shumë për të ndaluar Rusinë, për të mbrojtur Ukrainën dhe për të mbrojtur Evropën. Ata po shkatërrojnë gjithçka”, u tha ligjvënësve kanadezë. Ai u kërkoi edhe ligjvënësve gjermanë, për të mundësuar transportin ajror në ndihmë të civilëve në Ukrainë.
Si e ka menaxhuar Zelensky situatën e pushtimit?
Në fillim, Zelensky e drejtoi energjinë e tij drejt mobilizimit të menjëhershëm të ushtrisë ukrainase, si dhe zhvendosjen e civilëve në zona të sigurta, teksa forcat ruse përparonin përgjatë kufijve të Ukrainës. Më parë, ai ishte shprehur se paralajmërimet e SHBA-së për një pushtim të afërt, ishin të tepërta dhe po dëmtonin ekonominë e Ukrainës. Kjo pasi, Zelensky vuri në dukje një grumbullim edhe më të madh rus, pranverën e kaluar, por që si përfundim u tërhoq.
Mirëpo, pasi sulmet e para ruse filluan të godasin Kievin dhe qytetet e tjera të Ukrainës, më 24 shkurt, ai u fokusua në mbrojtjen e Ukrainës, duke siguruar sa më shumë ndihma nga perëndimorët. Teksa i përgjigjej propagandës ruse, që pretendonte se ai ishte larguar tashmë nga vendi, Zelensky realizoi një video të xhiruar përpara pallatit presidencial në Kiev.
Në pak kohë, ai tërhoqi me miliona shikime dhe pëlqime në çdo platformë të rrjeteve sociale. I shndërruar në një lider frymëzues, veshur me uniformat ushtarake, Zelensky nisi të admirohej në mbarë botën.
Gjatë gjithë kohës, ai u kërkoi liderëve perëndimorë, të rrisin sanksionet ndaj Moskës me shpresën për të thyer përparimin rus. Gjithashtu, iu lut shumë prej tyre edhe për të ndërmarrë veprime më të ashpra, duke i paralajmëruar se mund të ishte hera e fundit që ata e shihnin atë të gjallë.
Si ka evoluar qëndrimi i Zelensky kundër Rusisë?
Zelensky fillimisht kërkoi të afrohej me Rusinë, kur u zgjodh president në vitin 2019. Ukraina kishte qenë në mosmarrëveshje me Kremlinin që nga viti 2014, kur forcat ruse aneksuan portin e Krimesë në Detin e Zi. Ai u zotua të përmirësojë marrëdhëniet me Putinin dhe arriti disa suksese, duke siguruar një shkëmbim të burgosurish me Rusinë.
Mirëpo, protestat në rrugë kundër planeve të tij, e detyruan atë të ndryshojë qëndrim. Diplomatët perëndimorë e paralajmëruan Zelenskyn se Putin po përpiqej ta detyronte atë të nënshkruante një marrëveshje që do t’i siguronte atij një ndikim afatgjatë mbi të ardhmen e Ukrainës, nëpërmjet përfaqësuesve të Rusisë në rajonet separatiste. Kjo do të ndalonte anëtarësimi e Ukrainës në BE ose NATO.
Në vend të kësaj, Zelensky nisi të shfaqte bindjen dhe dëshirën se NATO-ja duhej të angazhohej për të pasur një marrëdhënie më të ngushtë me Ukrainën. Veç kësaj, Zelensky nisi një fushatë popullore për të rifituar kontrollin e Krimesë. Analistët politikë thanë se perspektiva që Ukraina të rreshtohej krah Perëndimit kishte zemëruar Putinin, i cili prej kohësh po përpiqej të rivendoste në të ndikimin e Rusisë, që ishte kufizuar shumë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Si u ngrit Zelensky nga komedian në president?
Zelensky studioi për drejtësi në universitet, por pasi u diplomua, u përfshi në botën e argëtimit, duke themeluar dhe një kompani televizive. Fillimisht, u bë i njohur për skeçet e tij, më vonë fitoi versionin ukrainas të “Dancing with the Stars”, në 2006. Megjithatë, ishte emisioni i tij televiziv “Shërbëtori i Popullit” që i dha famën më të madhe.
Suksesi i shfaqjes e bindi Zelensky se ai duhet të provonte realisht karrierën politike. Me një fushatë shumë të suksesshme, Volodymyr, fitoi balotazhin e raundit të dytë kundër presidentit të kohës, Poroshenko, me rreth 73% të votave.
Cila është prejardhja familjare e Zelensky?
I lindur më 25 janar 1978, Zelensky u rrit në një rajon rusishtfolës në Ukrainën juglindore. Prejardhja e tij është hebreje dhe disa anëtarë të familjes së tij, vdiqën në Holokaust, ndërsa gjyshi i tij shërbeu në Luftën e Dytë Botërore si oficer në ushtrinë sovjetike. Babai i tij, një matematikan, dhe nëna e tij, një inxhiniere, zgjodhën të qëndronin në Ukrainë, ndërsa shumë hebrenj të tjerë u nisën për në SHBA ose Izrael, kur ish-Bashkimi Sovjetik i lejoi ata të emigronin. Miqtë e fëmijërisë kujtojnë se si ai shquhej për stilin e tij dhe notat e mira në shkollë. Më vonë, ai u diplomua për Drejtësi në Universitetin Kombëtar të Kievit.
Vetë Zelensky e ka bërë të ditur identitetin e tij hebre, duke thënë në vitin 2020 se ai vinte nga një familje e zakonshme hebreje sovjetike dhe se shumica e familjeve të tilla, nuk ishin fetare. Kjo duket se reflekton faktin se si hebrenjtë në ish-Bashkimin Sovjetik, përfshirë Ukrainën, iu duhej të shtypnin identitetin e tyre fetar.
Ukrainasit janë treguar gjithmonë më mikpritës ndaj hebrenjve sesa vendet e tjera anëtare të ish-bllokut sovjetik. Një sondazh i Qendrës Kërkimore Pew në 2019, zbuloi se 5% e ukrainasve nuk ishin të gatshëm të pranonin hebrenjtë si bashkëqytetarë, krahasuar me 18% në Poloni, 19% të çekëve dhe 22% në Rumani. Për këtë arsye, pretendimi i Putinit për denazifimin e Ukrainës, u pa si një deklaratë absurde dhe e pamundur.