Ekziston një vend në ishullin italian të Siçilisë, ku ka gjithmonë e më shumë gjasa të dëgjoni një theks amerikan në rrugët e ngushta, në vend të gjuhës lokale.
Sambuca di Sicilia, e cila u bë e njohur si një nga vendet e para në Itali për shitjen e shtëpive të vjetra me një çmim të papërfillshëm, po bëhet pakashumë një “Amerika e Vogël” italiane, pasi një vale e madhe amerikanësh janë zhvendosur këtu duke blerë këto prona dhe duke i dhënë një jetë të re qytetit.
Qyteti siçilian filloi të tërheqë blerësit potencialë nga jashtë shtetit në vitin 2019, kur zuri titujt e CNN duke shitur 16 banesa për 1 euro secila, ose pak më shumë se një dollar. E njëjta gjë ndodhi në korrik të vitit 2021, kur u ofruan 10 ndërtesa të tjera të vjetra për një shumë simbolike prej 2 € secila.
Në kohën kur u mbyll afati i dytë i aplikimeve nëntorin e kaluar, bashkia pati një lum kërkesash nga qindra blerës të interesuar. Si përfundim, shtëpitë u hodhën në ankand për ofertuesit më të lartë, duke u shitur nga 500 deri në 7,000 euro.
Pothuajse të gjithë blerësit e rinj janë nga Amerika e Veriut, thotë nënkryetari i bashkisë Giuseppe Cacioppo. Disa madje e blenë shtëpinë e tyre pa e parë fare atë, ndërsa të tjerë thyen kufizimet e udhëtimit të Covid dhe fluturuan për në Itali për të parë këto banesa.
“Le të themi se pothuajse 80% e njerëzve që na shkruajtën, që aplikuan dhe që morën pjesë në këtë ankand të dytë, ose vijnë nga Shtetet e Bashkuara, ose janë amerikanë,” thotë Cacioppo. “Ka një interes të lartë nga blerësit amerikanë, dhe për fat ky interes nuk po zbehet. Pandemia ka qenë një sfidë e vërtetë për të mundësuar këto shitje të reja, por ne kemi qenë me fat. Gjithçka shkoi mirë.”
Pra, çfarë i motivoi këta blerës të rinj për të marrë në pronësi këto shtëpi të dëmtuara nga tërmeti në zonat e thella të Siҫilisë? Çuditërisht, shumë prej tyre me sa duket nuk donin thjesht të blinin një shtëpi pushimesh me çmim të ulët. Ata gjithashtu duan të ndihmojnë në rigjallërimin e fshatit dhe të ekonomisë së tij.
‘Do t’i dhuroj’
David Waters, një biznesmen nga Idaho, me një pasion për ndërtimet italiane, po planifikon të rinovojë shtëpitë që sapo ka blerë në këtë vend në Siçili, përmes një financimi që do ta sigurojë nëpërmjet crowdfunding – dhe më pas do t’i dhurojë ato.
Ai bleu dy ndërtesa ngjitur me njëra-tjetrën, duke dhënë ofertën fituese prej 500 € për secilën shtëpi. Ato ndodhen në një nga zonat e qeta të Sambuca-s, një lagje e lashtë me shumë shtëpi të braktisura që ndodhen në anë të rugës.
Waters e përshkruan veten si një fans i projektit të Italisë për shtëpitë që kushtojnë një euro dhe thotë se dëshiron të kontribuojë në rinovimin e komuniteteve që po shuhen dhe janë lënë pas dore.
“Doja të krijoja një mënyrë që investitorët të mund të mbështesin komunitetet më të vogla si Sambuca e Siçilisë,” thotë ai. “Dua të bëj të mundur që dikush që dëshiron të realizojë ëndrrën e tij për të pasur një pjesë të historisë italiane, të mund ta bëjë këtë.”
Një ëndërr e realizuar
Kuzhina italiane është ajo që e shtyu kuzhinierin nga Arizona, Daniel Patino, bashkëthemelues i një rrjeti biznesesh të ushqimeve të freskëta në SHBA, të bëjë hapin e madh për të përjetuar sadopak la dolce vita.
Patino bleu ndërtesën e vetme të disponueshme me tre kate dhe me një tarracë panoramike, nëpërmjet një oferte prej vetëm 2500 €. Ai e bëri çdo proccedurë në distancë, nga SHBA. Një zonjë nga Sambuca e kontaktoi atë përmes bashkisë dhe i dërgoi një video dhe disa foto të shtëpisë. Këto ishin të mjaftueshme për t’i dhënë Patinos një ide për shtëpinë që do të blinte.
“Është më shumë se një aventurë,” thotë ai. “Ndoshta, një lojë fati.”
“Vendosa ta bëj ofertën pa e parë nga afër shtëpinë, pasi i hodha një sy të gjitha mundësive të tjera në internet, por kjo shtëpi në veçanti më tërhoqi sapo e pashë. Kishte një oborr të vogël e të thjeshtë. Nuk mund ta shihja se si ishte nga brenda, sepse mund të ishte e rrezikshme që të hyje brenda saj, kështu që mendoj se kjo shtëpi do të ketë nevojë për shumë rimodelime.”
Patino nuk e di ende se çfarë do të bëjë saktësisht me këtë shtëpi, nëse do ta përdorë si një shtëpi pushimesh, apo edhe si një degë të zinxhirit të tij të bizneseve të ushqimeve në Itali. Tani për tani, ai thotë se kjo është thjesht një ëndërr e realizuar.
Një strehë e sigurt për artistët
Brigitte Dufour, një avokate franko-kanadeze dhe themeluesja e një organizate të të drejtave të njeriut, bleu dy banesa të braktisura në distriktin historik të Saracen: një ndërtesë më të vogël për 1,000 euro dhe një shtëpi të madhe për 5,850 euro. Ajo i bëri të dyja ofertat pa parë asnjërën prej këtyre shtëpive.
“Thjesht për të qenë e sigurt, isha e vetëdijshme se konkurrenca ishte e madhe, kështu që mendova se nëse do të bëja dy oferta për dy shtëpi të ndryshme, do të kisha më shumë shanse për sukses”, thotë ajo.
Dufour thotë se dëshiron të ndihmojë komunitetin lokal duke u ofruar hapësirë artistëve nga e gjithë bota, të cilët po i largohen krizave të ndryshme.
Shtëpia e saj më e vogël dykatëshe prej 50 metra katrorë do të shërbejë si një rezidencë për artistët, thotë ajo. Ky do të jetë një vend ku artistët mund të shprehen dhe “të pushojnë nga mjedisi i vështirë dhe presioni që po përjetojnë në vendet e tyre”.
“Ata mund të qëndrojnë për dy javë ose për një muaj të tërë dhe të frymëzohen nga bukuria e Siçilisë dhe e Sambucas, për të krijuar vepra arti që lidhen me çështjet gjinore, dinjitetin, të drejtat e njeriut. Ata mund të përfitojnë nga shfrytëzimi i këtij vendi të bukur e të sigurt.”
Nga ana tjetër, shtëpia e saj e dytë prej 80 metra katrorë do të shërbejë si vendbanim privat dhe hapësirë shtesë për akoma më shumë artistë në të ardhmen.
“Mendova se do të ishte më mirë që të kisha më shumë se vetëm një shtëpi, për të sjellë sa më shumë artistë, por më pas, kur vizitova Sambucën, u dashurova me këtë fshat dhe mendova se mund ta mbaja këtë shtëpi të dytë për veten dhe familjen time.”/ CNN
Marrë nga Monitor.al