Gjykata Kushtetuese do të mblidhet mëngjesin e së hënës për të tretën herë për të vijuar shqyrtimin e vendimit të parlamentit që kërkon shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta. Në seancën e fundit, përfaqësuesit e presidentit kundërshtuan procedurën që ishte ndjekur nga parlamenti për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit.
Sipas tyre, presidentit të Republikës iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në parlament para se të merrej vendimi për ngritjen e komisionit hetimor. Pas pretendimeve të presidencës, trupa gjykuese e Gjykatës Kushtetuese drejtoi 70 pyetje ndaj tyre, për të cilat juristët e Presidencës kërkuan 48 orë kohë për përgjigjet.