Presidenti Ilir Meta tha se falsifikimi i provave nga ana e Kuvendit në dosjen e dërguar për të në Gjykatën Kushtetuese, do të paditet në Prokurori. Meta tha se u ka kërkuar dy përfaqësuesve të përgatisin menjëherë padinë për falsifikimin e provave nga Kuvendi, të depozituar në Gjykatën Kushtetuese pa asnjë lloj kërkese.
“Ky skandal shumë i rëndë, duhet të marrë menjëherë përgjigje ligjore! Takohemi shumë shpejt në një komunikim me mediat!”, tha Meta në një postim në Facebook.
Padinë e paralajmëroi edhe këshilltari ligjor i Metës, Bledar Dervishaj.
“Sot u mbyll seanca gjyqësore e iniciuar krejtësisht pa të drejtë nga Kuvendi i Shqipërisë. Për fat të keq, u provua dhe sot se Kuvendi për qëllime politike depozitoi prova shkresore të manipuluara, vetëm e vetëm me qëllimin që të rrëzoheshin pretendimet e Kreut të Shtetit. E kur kjo ndodh nga Kuvendi i Shqipërisë për një çështje kaq të rëndësishme sa është shkarkimi i Presidentit të Republikës në një çështje që nuk duhet të ekzistonte, imagjinoni çfarë ndodh me institucionet e tjera. Presidenti ka vendosur t’i drejtohet prokurorisë lidhur me këtë çështje”, tha Dervishaj