Një vullkan nënujor shpërtheu të shtunën në ishullin Tonga në jug të Oqeanit Paqësor, duke u shoqëruar edhe nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7,4 i shkallës rihter.
Vullkani ishte aq i fuqishëm sa është parë edhe nga hapësira, ndërsa dallgët e shkaktuara nga cunamit kanë arritur deri në brigjet e Amerikës. 1,3 metra dallgët arritën deri në Port San Luis, por edhe në Kaliforni, Oregon, Uashington e Alaskë.
Imazhet e kapura nga sateliti shfaqën shpërthimin spektakolar, ndërsa pavarësisht paralajmërimeve për cunam, me dhjetëra persona u dyndën në plazhe për të parë nga afër dallgët.
Ishulli Tonga i goditur nga cunami e i mbuluar nga hiri vullkanit ishte këtë të diel i shkëput nga bota me telefonat dhe internetin e ndërprerë, ndërsa ende nuk dihet numri i viktimave. Deri tani, të konfirmuara janë dy viktima në veri të Perusë, ku dy gra humbën jetën pasi një kamion u godit nga dallga teksa ishte duke lëvizur në një rrugë pranë bregut. Në këtë shtet nuk ishte lëshuar paralajmërimi për cunam dhe tashmë autoritetet janë duke studiuar valën e papritur që goditi brigjet.