Raportuesja për Kosovë në Parlamentin e Evropës, Viola von Cramon shpreson se në vitin 2021 Bashkimi Evropian do t’i liberalizojë vizat për kosovarët.
Politikania gjermane ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Brukseli. Ajo shpreson se me ardhjen në pushtet të demokratëve në Amerikë me presidentin Joe Biden, Evropa do gjejë partnerin e munguar për gati katër vite sa në pushtet ishte Donald Trump.
“Shpresoj se do të flasim me një zë, se nga Washingtoni ne do të kemi më shumë përkrahje se sa në tre vite e gjysmë që i kaluam. Besoj se do kemi njerëz që vijnë nga Departamenti i Shtetit e Shtëpia e Bardhë e që e kuptojnë dialogun dhe rajonin më mirë sesa Administrata që po shkon”, tha Von Cramon për Klan Kosova.
Ndërkohë ka shumë mëdyshje e qëndrime politike se cili do të jetë rezultati final i bisedimeve kosovaro –serbe.Vetë raportuesja thotë se mëtohet të ketë ujdi me të cilën pajtohen të dyja palët me kompromis dhe se presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç e sheh si personin që kryen punë në këtë aspekt kah ana e Beogradit.“Presidenti Vuciç, ka shumicë të fortë në Parlament. Ai e konsideron veten si president të fortë dhe unë nuk e kuptoj pse ai s’do të ishte në gjendje të gjejë mundësinë për një marrëveshje me Kosovën. Nuk shoh ndonjë mundësi tjetër dhe gjërat smund të përshtaten më mirë se tani. Ne duhet të punojmë me ata që janë në pushtet dhe jam goxha optimiste se do gjejmë zgjidhje”, përfundoi Viola Von Cramon.