Shqipëria i është bashkuar nismës së marrë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara së bashku me 44 vende të tjera për të kërkuar nga Rusia që të lirojnë kritikun e Kremlinit, Alexei Navalny. Sipas deklaratës së OKB-së, Rusisë i kërkohet që të lirojnë Navalny nga burgu pasi, ky veprim është i paligjshëm si dhe është shkelje e të drejtave themelore të njeriut.
“Ne i bëjmë thirrje Federatës Ruse për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Navalny dhe të gjithë atyre që janë ndaluar në mënyrë të paligjshme ose arbitrare, përfshirë edhe ata të cilët janë arrestuat për ushtrimin e të drejtave të tyre për lirinë e tubimit, lirinë e mendimit, shprehjes, dhe lirinë e fesë dhe besimit,” thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Ndërkohë që në të, OKB gjithashtu ka shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me arrestimet që u janë bërë njerëzve që kanë protestuar për burgosjen e Navanly.
“Ne jemi gjithashtu të shqetësuar nga numri i madh i arrestimeve arbitrare të protestuesve që kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj Navalny-t”, vijon deklarata.
Arrestimi dhe burgimi i Navalny shkaktoi protesta mbarëkombëtare të rrugëve në Rusi, por aleatët e tij thonë se ata kanë planifikuar protesta dhe demostrata deri në pranverë. Navalny u arrestua sapo u kthye në Rusi nga Gjermania, ku po kurohej ndaj një helimi nga agjentë nervor, për të cilin ai drejtpërdrejt ka akuzuar Putin, por Kremlini i ka mohuar akuzat.