Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me raportin e fundit të publikuar nga Eurostat që e rendit Shqipërinë të fundit përsa i përket investimeve në shëndetësi.Përmes një postimi, kryedemokrati ka shkruar se për 7 vite Rama i la në baltë shqiptarët me premtime të pambajtura siç është ai për shëndetësinë falas.
Basha thotë se ata që e vuajnë më së shumti këtë gjendje në kurrizin e tyre janë shqiptarët, të cilët paguajnë fatura të shtrenjta për ilaçet dhe trajtimin mjekësor. Basha tha se janë të domosdoshme investimet në shëndetësi si: paga më të mira mjekët dhe infermierët dhe shtimi i numrin e tyre, rimbursim për ilaçet etj.
Mesazhi i Bashës:
Shqipëria investon sot më pak se çdo vend tjetër për kujdesin shëndetësor. Prandaj numri i mjekëve për frymë në Shqipëri është më i ulëti. Kjo është arsyeja pse pagat e mjekëve tanë, që tani po luftojnë në vijën e parë kundër pandemisë, janë më të ultat. Ata që e vuajnë këtë në kurrizin e tyre janë shqiptarët, të cilët paguajnë fatura të shtrenjta për ilaçet dhe trajtimin mjekësor. Nuk ka pse të vazhdohet kështu. Ne mund dhe duhet të investojmë më shumë në shëndetësi. Ne mund ti paguajmë më mirë mjekët dhe infermierët tanë dhe mund të shtojmë numrin e tyre. Ne mund të rimbursojmë më shumë për ilaçet dhe ti bëjmë të përballueshme për të gjithë. Të gjitha këto mund të bëhen. Për 7 vite Rama i la në baltë shqiptarët me premtime të pambajtura si ai për shëndetësinë falas. Boll më. Nuk mund të vazhdohet më kështu. Bashkë do ta largojmë të keqen dhe do të sjellim ndryshim dhe shpresë të re për Shqipërinë.