TIRANË– Ditën e nesërme Shqipëria futet në një karantinë të dytë! Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID si dhe atyre të viktimave, Komiteti Teknik i Ekspertëve doli në një deklaratë për mediat ditën e djeshme aty ku bënë publike të gjitha masat që do merren nga e mërkura (11 nëntor) deri me 25 nëntor. Për tre javë qytetarët e Shqipërisë nuk duhet të lëvzin gjatë orareve 22:00-06:00 në mënyrë që të pakësohet numri i të prekurve dhe të shmanget kontakti i tepërt. Kjo fashë orari ishte më e përshtatshme pasi siç deklaroi ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, mbrëmjen e djeshme në një intervistë, ajo kohë shënon kulmin e lëvizjes së njerëzve.
Kjo masë prek baret dhe restorantet të cilat do të qëndrojnë të mbyllura në këto orare. Nga kjo masë nuk do preken shkollat dhe transporti publik të cilat do të qëndrojnë të hapura. Ndërkohë u këshillua që të punohet nga shtëpia për administratën publike ndërkohë që masat do të rishikohen çdo javë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, nëse do shtrëngohen apo lirohen.
Testet e shpejta janë ato që do të futen menjëherë në fuqi të cilat japin përgjigje në 40 minuta për të shmangur pritjen për ditë me rradhë.
Masat e propozuara nga Komiteti i Ekspertëve:
–Kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 – 06:00 në të gjithë vendin, me përjashtim të lëvizjes për motive pune, emergjenca shëndetësore apo nevoja të domosdoshme.
-Ndalohen aktivitetet e bareve – restoranteve nga ora 22:00 – 06:00 (përvec shërbimit delivery).
-Smart-working për administratën publike (sipas specifikës së sektorit) në zbatim të protokolleve të sigurisë. Përjashtim bëjne strukurat ofruese të shërbimeve duke zbatuar protokollet e sigurisë.
Z/v ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli së bashku me Silva Binon dhe mjekun Skënder Brataj informuan se Fieri, Gjirokastra, Gramshi, Kavaja, Korça, Mallakastra, Mirdita, Përmeti, Puka, Saranda, Tepelena, Tirana dhe Tropoja futen në zonën e kuqe, pasi janë qytetet që kanë numrin më të lartë të të infektuarve duke variuar nga 195-414.
Rakaçolli deklaroi se do të lejohet lëvizja vetëm për arsye pune ndërkohë që do të lejohet vetëm shërbimi ‘delivery’ për restorantet.