Dinamo shpërngulet në Pezë, që së shpejti do të jetë shtëpia e saj e re. Nga sot, stërvitja e Dinamos do të zhvendoset në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës, që shumë shpejt, sipas të gjitha gjasave, do të jetë edhe selia e klubit blu.
Ende nuk ka një marrëveshje zyrtare për blerjen e këtij kompleksi, por duket se është shumë e afërt data, kur Dinamo më në fund do të bëhet me shtëpi të re.
Ky ka qenë edhe një nga objektivat kryesorë të presidentit Adrian Bardhi sapo ai mori drejtimin e klubit kryeqytetas. Interesimit të gazetës në lidhje me blerjen e mundshme të kompleksit në fjalë, presidenti Bardhi i është përgjigjur me këtë fjali të shkurtër: “Akoma, jemi drejt përfundimit dhe besoj se do t’i mbyllim gjërat dhe më në fund do të jemi me shtëpi”.
Edhe më parë, në prononcimet për “Panorama Sport”, numri 1 i klubit blu e ka bërë të qartë se shtëpia e re është përparësi për të, sepse nuk i pëlqen aspak fakti që Dinamo të stërvitet me qira. Sigurisht, gjithmonë nëse realizohet, do të jetë goditja më e madhe për Dinamon, blerja më e rëndësishme, që do të zgjidhte përfundimisht çështjen e stërvitjes për skuadrën e parë dhe të gjitha skuadrat e akademisë së bluve.
Gjithashtu, do t’i kthente Dinamos edhe dinjitetin e nëpërkëmbur gjatë gjithë kësaj kohe, që kur e nxorën jashtë shtëpisë së saj pranë Liqenit Artificial. Fakti që stërvitja e bluve do të zhvillohet në Pezë-Helmës, do të thotë se marrëveshja është shumë afër dhe pritet vetëm që të zyrtarizohet.
Gjatë kësaj periudhe skuadra e Shkëmbit është stërvitur në “Football Republic”, madje në një rast u detyrua të shkonte edhe në Shijak. Në Pezë-Helmës janë stërvitur me qira shumë skuadra të kategorive të ndryshme, që pas pak kohësh duhet të kërkojnë një fushë të re për stërvitjen e përditshme.