Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, deklaroi në Çim Peka LIVE se opozita do të garojë e bashkuar në zgjedhje.
“Opozita është e bashkuar dhe do paraqitet e bashkuar në zgjedhje për t’i dhënë formë dhe përmbajtje aspiratës shqiptare për ndryshim.
Opozita do bëjë maksimalizimin e votës dhe potencialit të saj. këtë do e bëjmë në koordinim me të gjithë partitë aleate. Ky ëshët bashkimi më i madh i forcave politike, që është bashkimi i një aleance më të madhe qytetare,” tha Basha.
Sipas tij, opozita nuk do të lejojë që asnjë votë qytetare të shkojë dëm.
Basha nuk u përgjigj direkt nëse do ketë një listë apo dy lista nga opozita në zgjedhje, por tha se do maksimizohen votat.
“Rama është pakicë edhe brenda socialistëve. Opozita do ta maksimizojë votën e saj përmes strategjisë më të mirë dhe me bashkimin më të madh të forcave politike. Ne nuk do të lejojmë që asnjë votë të shkojë kot.
As unë dhe asnjë nga aleatët e mi nuk do të ndalet për të garantuar atë që shqiptarët duan: largimin e Edi Ramës dhe ndryshimin. Natyrisht vendimi do kalojë përmes një dialogu të hapur dhe pa paragjykime. Ne nuk do të bëjmë kalkulime personale pasi kemi vetëm një aspiratë: t’i japim zë ndryshimit,”tha Basha.