Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, për herë të parë do të përfshijnë teknologjinë me qëllim rritjen e transparencës në votime.
Komisioni Qëndror i zgjedhjeve, sjell si risi identifikimin elektronik të qytetarëve, për të shmangur votimet e shumëfishta dhe manipulimin e procesit zgjedhor.
17 milionë euro është vlera e këtij projekti që synon rritjen e standartit të zgjedhjeve në Shqipëri.
Hapat që ndiqen për identifikimin elektronik janë tepër të thjeshta.
Qytetarët afrohen pranë komisionit zgjedhor dhe paraqesin mjetin e identifikimit (kartë identiteti/pasaportë). Pajisja ku verifikohet mjeti i identifikimit i dorëzuar prej qytetarëve shfaq të dhënat e tyre si: fotot dhe qendrën e votimit ku janë regjistruar për të votuar. Pas kësaj, vendoset gishti i madh i dorës së djathtë në pajisje për të nënshkruar.
Në fund, printohen të dhënat e qytetarit dhe ai niset për të votuar.
Në rast se votuesi paraqitet për herë të dytë, pajisja tregon se po kryhet një shkelje përmes aktivizimit të alarmit. Në rastin kur mjeti i identifikimit është i dëmtuar, regjistrimi bëhet manualisht.
Kontestimet që i janë bërë në mënyrë të vazhdueshme zgjedhjeve si dhe akuzat për manipulim votimi nëpërmjet abuzimeve me mjetet e identifikimit, duket se do të marrin fund me verifikimin elektronik të çdo votuesi.