Nga kryeqyteti shqiptar me fusha e hapësira mes pallateve nuk ka mbetur më asgjë. Tirana e ditëve të sotme është qyteti ku objektet ndërtohen sa hap e mbyll sytë. Për disa ky është urbanizimi dhe rritja galopante, mbasi kryeqyteti tërheq si magnet qytetarët nga rrethet duke rritur ethshëm popullsinë. Për të tjerë, qyteti që duhet të ishte. Nostalgjikët nuk e lidhin vetëm me historinë, origjinalitetin por edhe me sportin.
Në fushat kur dikur fëmijët e atij brezi luanin në qendrat sportive, tanimë ka pallate. Legjenda e 17 Nëntorit(Tirana), Agustin Kola shprehet se i dhemb zemra kur shikon se fusha ku ai hodhi hapat e parë si futbollist profesionist sot është kthyer në pallat. “Më dhemb shumë kur shikoj që fusha ku unë kam zhvilluar ndeshjet e para si futbollist sot është zhdukur dhe është kthyer në pallat. Nuk jam as kundër pallateve, kishave, xhamive, ama fushat mos ti prishin”, kështu e fillon rrëfimin, 62 vjeçari, i cili ndeshjen e parë si futbollist e ka zhvilluar tek fusha pranë Shkollës Teknologjike e cila nuk ekziston më. Kola u lidh me futbollin në moshën 13 vjeçare e bashkë me të edhe me fushën ku luajti ndeshjet e para.Shkolla Teknologjike1 of 4
Por përveç tij Kola, rreshton edhe disa futbollistë të mëdhenj që kanë dalë nga kjo fushë, por edhe shqetësimin që ka, që shumë fusha janë shkatërruar, dhe se gjendja po shkon keq e më keq.
“Ne futbollin e kemi filluar nëpër këto fusha, tek fusha pranë Shkollës Teknologjike ku e kam filluar edhe unë, kanë dal futbollistët e mëdhenj si Arben Minga, Sulejman Mema, Millan Baçi, Andrea Marko, Shkëlqim Muça e shumë të tjerë. Kjo gjendje po shkon keq e më keq, pasi të gjitha fushat që ishin përpara viteve 90, janë kthyer në pallate, ose edhe ato pak që kanë ngelur janë lënë në harresë dhe po shkojnë drejt degradimit”, vazhdon me rrëfimin e tij, ish futbollisti i kombëtares shqiptare.
Sipas Kolës, fëmijët në ditët e sotme nuk kanë më ku të luajnë.
“Sot fëmijët nuk kanë ku të luajnë, sepse edhe fushat e vogla apo lulishtet që ishin nëpër pallate dikur, tani janë kthyer në kafe. Përpara viteve 90’, të gjithë fëmijët angazhoheshin në sporte të ndryshme, si futboll, basketboll, volejboll, atletikë, cirk ndërsa tani si alternativë të parë kanë kafen. Ajo çfarë nuk kuptoj unë është se përse fushat sportive të shkollave nuk hapen pasditeve, që të shkojnë fëmijët, por qëndrojnë të mbyllura. Zgjidhjet e vetme sot janë marrja e ambienteve me qera nëpër fusha me bar artificial, që edhe fëmijët nuk i ndihmon shumë”, ndërsa e mbyll fjalën e tij me një thirrje ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili ka qenë edhe vetë sportist, thekson Kola.
Historia e zhdukjes së fushave
Të transformuara vit mbas viti fushat sportive u futën nën kontroll në mjaft raste nga biznesmenët e ndërtimit dhe në shumë të tjera në vend parkimi derisa edhe atyre tu vijë radha. Shkatërrimi i terreneve sportive nis menjëherë mbas viteve 90’. Nga të dhënat që ju vendosën në dispozicion “Sinjalizo”, rezulton se kryeqytetit i janë fshirë nga harta 20 fusha sportive që u kthyen në tokën e pallateve, parkime, në pak raste lulishte ose janë kthyer të papërdorshme.
Bëhet fjalë për fusha të mëdha, të cilat përdoreshin nga ekipet zinxhir të klubeve, për zhvillimin e aktiviteteve të tyre, për kampionatin e shkollave të mesme, kampionatin e fakulteteve me studentë dhe kampionatin e ndërmarrjeve.
Sipas inventarizimit të bërë nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, fushat që i mungojnë kryeqytetit janë:
Fushat që i mungojnë inventarit të kryeqytetit:
1.Fusha pranë spitalit nr.5 dhe Shkollës së Bashkuar (e zënë, ndërtim), 2. Fusha pas Konviktit të Mjekësisë vajza (e zënë, ndërtim), 3. Fusha e Farmacisë Nr.10 (e zënë, treg shumice), 4. Fusha e Zezë tek Stacioni i Trenit (e zënë, ndërtim), 5. Fusha zyrtare e klubit “Partizani” (e zënë, ndërtim) 6. Fusha e Kombinatit të Autotraktorëve (e zënë, ndërtim), 7. Dy Fushat e Ali Demit (të zëna, lulishte kalçeto), 8. Fusha e Pallatit të Pionierëve (e zënë, ndërtim dhe kishë),9. Aneksi i stadiumit “Qemal Stafa” (lulishte dhe parkim),10. Fusha Sauk e Shkollës së Policisë (e prishur, ndërtuar kalceto), 11. Aneksi i stadiumit “Selman Stërmasi” (e zvogëluar nga ndërtimi e papërdorshme), 12. Fusha e shkollës “11 Janari” (e zënë ndërtim), 13. Fusha e zezë e 21 dhjetorit (e zënë, ndërtim), 14. Fusha e shkollës Teknologjike (e zënë, ndërtim), 15. Fusha e Shkollës së Partisë (e zënë, biznes dhe ndërtim), 16. Fusha e Kombinatit Tekstil (e zënë, shkollë), 17. Fusha e qendër – Kamzës së dikurshme (e zënë, ndërtim), 18. Fusha e Institutit Bujqësor (e rrënuar e papërdorshme), 19. Fusha e qytetit Studenti(e rrënuar, e papërdorshme), 20. Fusha e Gardës së Republikës (jashtë funksionit, parkim), 21. Fusha e Rrugës së Elbasanit(e zënë, ndërtim dhe lulishte).Fushat sportive të zhdukura1 of 18
I fundmi në listë, kompleksi Dajti
Por edhe një prej komplekseve të fundit që ngjan se po reziston prej valës së ndërtimeve, është kompleksi sportiv “Dajti”. Por edhe ky destinacion sportiv është lënë në harresë dhe po shkon drejt degradimit përfundimtar.
Përveç harresës, nga të dhënat e investiguara nga “Sinjalizo”, rezulton gjithashtu se edhe ky kompleks do të ketë një transformim. Vendimi i Bashkisë së Tiranës, datë 28 dhjetor 2021, miratoi Planin e Detajuar Vendor për zonën ku ndodhet kompleksi duke theksuar se zona në të cilën ndodhet kompleksi sportiv “Dajti” është projektuar për aktivitete sociale dhe rekreative dhe për parkim nëntokësor dhe gjithashtu futet edhe tek nën-njësia për rizhvillim.1 of 2
“Llogaritja e hapësirave rekreative të propozuara është llogaritur në mënyrë të tillë që sipërfaqja e tyre bashkë me sipërfaqen e rrugëve të cilat kontribuojnë të jenë 30% të zonave për zhvillim. Të gjitha zonat për zhvillim do të japin kontributin përkatës për realizimin e këtyre hapësirave”, thuhet në relacion.
“Sinjalizo”, pyeti Bashkinë e Tiranës për fatin që do të kishte kompleksi sportiv “Dajti”, por edhe për terrenet sportive që tashmë janë zhdukur, por nuk mori asnjë reagim deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Por përveç këtij kompleksi ka edhe disa fusha apo terrene sportive që po zhduken nga degradimi. Mes tyre është aneksi pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, kur dikur stërvitej Dinamo-ja e madhe e treshes Zëri-Ballgjini-Përnaska.
Në harresë dhe që nuk përdoret për asnjë aktivitet sportiv është edhe fusha në ambientet e Shkollës së Bashkuar.
Na ishte dikur…
Nëse përpara viteve 90’, në kryeqytet ishin të paktën 30 objekte, fusha e kënde sportive, ku popullsia ishte rreth 300 mijë banorë. Pas 30 vitesh kur edhe popullsia e kryeqytetit është rritur duke shkuar në mbi 1 milion banorë, ka ndodhur e kundërta me këto objekte, fusha e kënde sportive. Aktualisht objekte të mirëfillta sportive në Tiranë kanë mbetur 6-7 të tilla.
Sot në vendet e zhvilluara ka një fushë futbolli për çdo 1800 banorë. Për sa i përket Shqipërisë, jemi në nivelin e një fushe futbolli për 80 mijë banorë, dhe në raste ekstreme një fushë për 190 mijë banorë. Raportin më të mirë në këtë drejtim e ka Anglia 1 për 1800 banorë, ku vetëm në kryeqytetin e saj në Londër janë të ndërtuara 6000 fusha e terrene sportive. Ndërsa mesatarja europiane është 1 për 6.500 banorë, mesatare të cilën e kanë aktualisht disa prej vendeve të rajonit si Kroacia, Sllovenia, Serbia.
Për analistin sportiv Fatmir Mëneri, ajo çfarë ka ndodhur nuk mund të zhbëhet më por, ne duhet të shikojmë të ndërtojmë terrene të reja sportive, nuk duhet të qajmë terrenet e zhdukura.
“Sigurisht që në parim, jemi të gjithë dakord, që nuk duhen cënuar pjesa sportive, terrenet, që janë ushqimi bazë për të zhvilluar një aktivitet sportiv, aq më tepër specifikisht futbolli që kërkon terrene më të mëdhaja se disa fusha të tjera sportive. Sigurisht që ne duhet të ulërasim se po na ikin fushat, por nga krahu tjetër ne duhet të shikojmë se ku mund të ndërtojmë fusha të tjera. Po të bëj një krahasim, si ruhet një pyll në vendet nordike, përpara se të presësh një pemë, duhet të mbjellësh një pemë tjetër, kështu duhet të bëhet edhe në Shqipëri, do ta prishësh një fushë për interesat e tuaja, ma ndërto në nje vend tjetër. Janë prish këto fusha, por ne nuk duhet të rrijmë të qajmë, këto fusha, sepse ato prishen për interesa të ndryshme, por ne duhet të kërkojmë që të ndërtohen fusha të reja, të rregullohet legjislacioni që të ndërtohen terrene sportive të reja”, shprehet për “Sinjalizo”, Mëneri.
Politika flet me “duhet…’’
Në një takim me Komitetin Olimpik Shqiptar, kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e arsimit, për programin e ri kombëtar të sportit në shkolla e universitete, Kryeministri Edi Rama, shprehej se duhet të rriten sipërfaqet e terreneve sportive të hapura, terrene sportive komunitare, nëpër lagje, e deri nëpër njësi administrative në zona rurale.
Por në fakt ajo çfarë vihet re është deri tani ka ndodhur e kundërta e asaj çfarë kërkon kryeministri, i cili është edhe një prej kryebashkiakëve që ka dhënë më së shumti lejet për prishjet e terreneve sportive në Tiranë.
Tiranës së djeshme sportive si ka mbetur me pothuajse asgjë, ndërkohë që sot vendin e saj e ka zënë një Tiranë e zhurmshme, e mbushur me pallate dhe më e ndotur se më përpara.
Këtë e tregon edhe monitorimi që kryhet Green Lungs për ndotjen e ajrit në qytet ku zonat më ndotura në Tiranë janë zona pranë Shallvareve, zona midis rrugës së Kavajës dhe zonës së Myslym Shyrit, rruga e Durrësit dhe zona e 21 Dhjetorit.
Shkroi: Klevis Paloka
Marrë nga ACQJ.al