Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka qenë aktiv përgjatë këtij viti duke siguruar energji në treg të lirë për të plotësuar konsumin në vend dhe kjo i ka kushtuar jo pak.
Vetë OSHEE pranon se situata jo e mirë hidrike i ka kushtuar asaj 123 milionë euro importe për periudhën nga fillimi i vitit deri në ditët e para të dhjetorit.
“Si pasojë e prodhimit të ulët të KESH dhe blerjes së energjisë në treg të lirë, kryesisht import, shpenzimet për blerje dhe transmetim energjie rezultuan 25% më të larta ose 7 miliardë Lekë më shumë se ato të planifikuara për vitin 2020.
Në total për vitin 2020 OSHEE Group ka shpenzuar rreth 123 milionë euro, përfshi këtu edhe ditët në vijim të dhjetorit. Mund të themi qe situata e Covid ka ulur deri diku çmimin e energjisë në treg të lirë, sepse nëse energjia e blerë në treg të lirë si pasojë e thatësirës do blihej me çmimet e vitit 2019, kostoja e kësaj energjie do ishte 50% me lartë sa është blerë faktikisht” tha OSHEE për “Monitor”.
Viti 2020 shfaqet problematik për financat e kompanisë ashtu sikurse viti 2019 çka bëri që të kishte ngadalësim të investimeve në mënyrë që të përballohej blerja e energjisë. Një efekt në pjesën e të ardhurave të kompanisë ka dhënë edhe ndryshimi i konsumit sipas segmenteve. Sidomos gjatë mbylljes u vu re rritje e konsumit nga familjarët që e paguajnë më lirë energjinë dhe rënie nga bizneset që e paguajnë me tarifa më të larta. Këtë tendencë e konfirmuan edhe të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për bilancin e energjisë elektrike në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas këtyre shifrave pavarësisht se në korrik-shtator, ekonomia iu kthye normalitetit, biznesi nuk kapi dot ritmin e periudhës së para pandemisë sa i takon aktivitetit. Në këtë periudhë u vu re një tkurrje e përdorimit të energjisë nga konsumatorët jofamiljarë. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët u ul me 1,9%, duke arritur vlerën 1.481 GWh nga 1.510 GWh që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2019.
“Ndikimin më të madh në uljen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku kemi një rënie të konsumit të energjisë elektrike me 5,1 %, përkundrejt rritjes me 2,5 % të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë” thuhej në bilancin e energjisë.
Marrë nga Monitor.al