Komiteti Teknik në konferencën e sotme për situatën epidemiologjike bëri me dije pas vlerësimit të realizuar është vënë re një rritje e incidencës dy javore. Megjithatë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se në Shqipëri do të vijojnë të mbeten në fuqi masat ekzistuese që janë vendosur për frenimin e përhapjes së Covid-19. Ministrja tha se situata nuk është alarmante, por tregues se qytetarët duhet të vijojnë të kenë kujdes.
“Në spitalet Covid ka rritje të shtrimeve, nuk jemi në situatë alarmante , por tregon se duhet të kemi kujdes të shtuar. Në 14 ditët e fundit pacientët kanë pësuar rritje. Edhe për rastet e pacientëve të shtruar në terapi intensive ka pasur rritje”, tha Manastirliu.