Mjeku Pëllumb Pipero sugjeron që të gjithë qytetarët që kanë temperaturë prej gripit, të mos nxitojnë drejt spitaleve. Sipas tij, në 3-4 ditët e para mund ta menaxhojnë situatën në shtëpi duke konsumuar lëngje dhe të përdorin vetëm paracetamol ose ibuprofen.
Në një intervistë për ‘Sot, live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu u shpreh se qytetarët nuk duhet të marrin antibiotik dhe të mos i bëjnë presion farmacistëve. Për ata që përdorin transportin publik, Pipero thotë se mund të përdorin maskat për të ruajtur veten dhe të tjerët që të mos shtohen rastet.
“Klinikisht në ditët e para, gripi dhe Covidi kanë të njëjtat simptoma. Antibiotikët nuk përdoren për të ulur temperaturën dhe nuk duhen përdoren pavarësisht temperaturës, të paktën 3-4 ditët e para. Nëse vijon apo komplikacione, atëherë shikohet nëse duhen apo jo antibiotikët. Nuk duhen përdorur antibiotikët se nuk mjekohen viruset kështu. Besoj fort që farmacistët janë të ndërgjegjësuar që gripi nuk mjekohet me antibiotik.
Dhe qytetarët të mos bëjnë presion ndaj farmacistëve. Nëse temperature është deri në 38 e gjysmë mund ta menaxhojnë në kushtet e shtëpisë duke përdorur lëngje, uji është ilaçi më i mirë dhe paracetamol ose ibuprofen. Të mos shqetësohen nga temperatura 38 e gjysmë dhe të mos mbipopullojnë spitalet se nuk është e nevojshme të nxitohen. Për ata që përdorin transportin publik, mund të vendosin maska. Në rast se temperaturat ulen dhe dimri vjen, mundësia për të pasur më shumë raste të infektuara është më e madhe”, tha Pipero.
Mjeku shpjegoi se aktualisht po qarkullon më së shumti virusi i gripit. Situata në spitale nuk është e ngarkuar ndonëse ka pasur rritje të rasteve.
“Ne kemi qarkullimin e 2 viruseve, të gripit actual AH1 dhe AH3N2. Këto janë viruse të njohur nga mjekësia dhe shkenca, por AH1 ka qenë përgjegjës për mjekësinë e vitit 2009 dhe për qarkullimin e virusit të 2019. Situata në spitale nuk është e ngarkuar. Ka pasur rritje të rasteve, por aktualisht viruset që qarkullojnë janë ato të gripit. Kemi edhe raste me Covid-19 por kemi shumë pak të sëmurë e të shtruar në spital. Do ta quaja relativisht të qetë situatën për viruset”, tha Pipero.