Pika kufitare e Hanit të Hotit vijon të paraqesë problem për kalimin e punëtorëve shqiptarë drejt Malit të Zi.
Qytetarëve që shkojnë për të punuar në Malin e Zi u kërkohet çdo ditë tampon për koronavirusin.
Në një prononcim për mediat, një qytetar shprehet se çdo ditë u kërkohet një test negativ i cili kushton 23 euro dhe është i vlefshëm për 48 orë.
“Na kanë kthyer për testet. Testet nuk mund t’i përballojmë që të bëjmë 23 euro. Ne dalim çdo ditë. Është i papërballueshëm. Kemi dy vite që punojmë në Malin e Zi. Nuk mund të përballojmë, 20 euro marrim ditën e punës” – thotë një prej qytetarëve.
Një tjetër qytetar, me lot në sy thotë se ky çmim është i papërballueshëm pasi nga puna që bëjnë në Malin e Zi, ai merr 20 euro në ditë.
“Më mashtrojnë dhe kur vij këtu nuk më lënë të kaloj. Vetëm me vjedh. 20 euro unë punoj gjithë ditën në beton. Unë jam sakat, i kam këmbët e sëmura. Vetëm me na vjedh dhe për të na mashtruar” – tha një tjetër punëtor.