SHQIPËRI– Nëse keni menduar se dimri përfundoi dhe se tashmë erdhi pranvera…e keni menduar gabim. Në fakt, ditët e ngrohta që keni shijuar së fundmi mbaruan dhe të dielën (nesër) pasdite, do të nisin reshjet e dendura të shiut. Sipas sinoptikanëve të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në orët e vona të mbrëmjes të ditës së dielë, mbi vendin tonë depërtojnë masa ajrore të paqëndrueshme që do të sjellin një mot të ‘tërbuar’.
Kështu që dita e hënë do të nisë me një mot me vranësira të shoqëruara me reshje shiu të vazhdueshme me intensitet kryesisht mesatar në pjesën më të madhe të vendit. Në zonën e veriperëndimit dhe atë të jugut reshjet e shiut në periudha kohore të caktuara pritet të jenë me intensitet të lartë. Kjo do të bëjë që në gjithë territorin prurjet në lumenj të rriten, duke rrezikuar kështu edhe përmbytje.
IGJEUM thekson se nga data 8 deri 12 Shkurt 2021, si pasojë e reshjeve intensive dhe shkrirjes së dëborës në basenet e lumenjve Drin dhe Buna, pritet rritje e ndjeshme e prurjeve dhe rrezikut të përmbytjeve, në zonën e NënShkodrës edhe zonave afër Liqenit të Shkodrës.
“8 deri 12 Shkurt 2021, si pasojë e reshjeve intensive dhe shkrirjes së dëborës në basenet e lumenjëve Drin dhe Buna, pritet rritje e ndjeshme e prurjeve dhe rrezikut të përmbytjeve, në zonën e NënShkodrës edhe zonave afër Liqenit të Shkodrës. Në lumenjtë e tjerë në gjithë territorin, pritet gjithashtu rritje e prurjeve,”- shkruhet në paralajmërimin e IGJEUM.
Nesër, të dielën, temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 9 / 18 °C
në vendet e ulëta: 7 / 18 °C
në vendet malore: 5 / 15 °C
Ndërsa era pritet të fryjë mesatre deri e fortë në jug të vendit. Një gjë duhet të keni parasysh, mos dilni pa çadër nga shtëpia dhe mos ‘kyçni’ xhupat!