“Agjencia Ndërkombëtare e Testimit është në dijeni të raporteve që qarkullojnë në lidhje me ceremoninë e shtyrë të ndarjes së çmimeve për garën e ekipit të patinazhit artistik. Çdo njoftim në lidhje me këto ngjarje do të publikohet në faqen e internetit.”, u shpreh një zëdhënës i organizatës së pavarur për shtyrjen “për arsye ligjore” të ceremonisë së ndarjes së çmimeve në Lojërat e Pekinit.
Sipas faqes së internetit “Insidethegames”, shtyrja është për shkak të një testi antidoping të dyshuar pozitiv nga 15-vjeçarja ruse Kamila Valieva përpara Pekinit.
Situata është e komplikuar edhe më shumë sepse sipas rregullave të Kodit Botëror Anti-Doping, Valieva është “person i mbrojtur” sepse “në momentin e shkeljes së rregullores antidoping ishte nën moshën 16 vjeç”. Prandaj nuk mund të identifikohet zyrtarisht nëse është fajtore për një shkelje të rregullores anti-doping, thekson “Insidethegames”.