Kur pritej që shkarkimi i Rilinda Selimit, gjyqtare e Apelit Administrativ, bashkëshorte e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Rilinda Selimi, të ishte një formalitet, nuk ka ndodhur ashtu. Komisioni i Vetingut në shkallën e parë e ka nxjerrë të pastër në të tre kriteret, edhe pse gjyqtarja ka përdorur makinën e shoferit të bosit ndërkombëtar të drogës, Ben Qimja.
Ky është skandali i radhës i Komisionit të Vetingut. Përveç lidhjeve me Ben Qimen, i kërkuar në Itali, Shkëlzen dhe Rilinda Selimi kanë një karburant në Lungomaren e Vlorës, i cili është bërë objekt protestash dhe debatesh si simbol i KÇK-së në drejtësi. Shkëlzen Selimi ka bërë kërdinë me çekiçin e drejtësisë kur ishte në Gjykatën e Lartë, duke votuar për heqjen e burgimit të përjetshëm krerëve të bandave mafioze më të rrezikshme në Shqipëri. Selimi dhe gjyqtarë të tjerë të emëruar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta në këtë gjykatë rrëzonin burgimet e përjetshme për njerëzit e krimit në Shqipëri, ndërsa Berisha akuzonte kundërshtarët politikë se po nxirrnin nga burgu kokat e bandave.
Për të shkarkuar Shkëlzen Selimin nga detyra dhe për ta përjashtuar për 15 nga drejtësia mjaftoi vetëm kontrolli i figurës. Ai u shkarkua për lidhje me njerëzit e krimit. Sipas Komisionit të Vetingut, Selimi kishte “probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar që bën të pamundur vazhdimin e detyrës”. Informacioni u grumbullua nga përfaqësuesit e SHBA-BE në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, duke implikuar ish-gjykatësin se kishte ndikuar për të penguar ekstradimin e Arben Isufaj në Itali.
Isufaj apo siç njihet ndryshe Ben Qimja ishte dënuar për trafik narkotikësh. Gjyqtari u ankua gjatë procesit për daljen e sekreteve në publik dhe ankimoi vendimin. Selimi u shkarkua me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në muaj shkurt të vitit 2019.
Javën e kaluar para Vetingut doli bashkëshortja e Shkëlzen Selimit, Rilinda Selimi, gjyqtare në Apelin Administrativ në Tiranë. Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarja u pyet për karburantin që ka blerë në Vlorë bashkë me bashkëshortin në vitin 2013, me vlerë 250 mijë euro. Ajo tha se paratë i kishte bërë duke shitur një apartament në Vlorë 69 mijë euro, nga shitja e një garazhi 9500 euro, një kredi 6.6 milionë lekë, shitja e një makine dhe depozita. Dhe Komisioni i Vetingut tha se paratë ishin të ligjshme. Gjyqtarja kishte blerë një makinë Fiat në vitin 2003 për 250 mijë lekë dhe e kishte shitur në vitin 2011 për 5 mijë euro, kur në realitet, me kalimin e viteve, makinës i bie vlera dhe nuk i rritet.
Çifti Selimi ka blerë edhe një apartament 155 metra katrorë në vitin 2017 dhe një apartament në Krujë. Figuron edhe një apartament në Vlorë si adresë banimi, për të cilin Selimi ka shpjeguar se e kishte “në përdorim në mirëmbajtje dhe pa shpërblim”. Ndërsa Shkëlzeni ka shpëtuar Ben Qimen që të mos dorëzohet në duart e drejtësisë italiane, Rilinda bashkë me Shkëlzenin kanë përdorur makinën në pronësi të shoferit të Ben Qimes. Ky fakt që kishte dalë në dritë gjatë vendimit për shkarkimin e Shkëlzenit, nuk është bërë fare pjesë e hetimit nga Komisioni i Vetingut, me trupë gjykuese të përbërë nga Pamela Qirko, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici, për gjyqtaren Rilinda Selimi./Pamfleti