Qeveria ka reaguar në lidhje me listën me emra tatim-paguesish ku iu bëhen publike të dhëna personale dhe pagat. Përmes një reagimi për mediat, zëdhënësi i qeverisë Endri Fuga pohon se bëhet fjalë për një dokument ilegal dhe se sipas tij është bashkim i disa copave të ndryshme.
Mes të tjerash qeveria thekson se do të depozitojë një kallëzim penal në prokurori për zbardhjen e kësaj ngjarje.
REAGIMI I QEVERISE
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme.
Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme. Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.